2013-05-31 16:21:21

Papa Françesku takon Vuk Jeremiç: zgjidhje për konfliktet e Lindjes së Mesme dhe zhvillim i qëndrueshëm


“Zgjidhja e konflikteve ndërkombëtare me mjete paqësore, duke iu referuar veçanërisht Lindjes së Mesme” dhe “zhvillimi i qëndrueshëm pas vitit 2015”: këto ishin temat kryesore në qendër të takimit të sotëm në Vatikan, ndërmjet Papës Françesku e presidentit të seksionit të 67-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Vuk Jeremiç.
“Gjatë bisedimeve të përzemërta – njofton Salla e Shtypit e Selisë së Shenjtë – u fol për disa çështje me interes të ndërsjelltë, në veçanti, për zgjidhjen e konflikteve ndërkombëtare me mjete paqësore, duke iu referuar specifikisht Lindjes së Mesme, dhe për emergjencat humanitare që shkaktojnë. Në këtë kuadër, u vu në dukje rëndësia e pajtimit ndërmjet bashkësive, që përbëjnë shoqëritë e ndryshme, dhe rëndësia e respektimit të të drejtave të pakicave etnike e fetare”.
Gjatë takimit privat, palët “u ndalën gjithashtu, në problemin e trafikut të njerëzve, në dramën e refugjatëve dhe të emigrantëve. Përsa i përket krizës aktuale ekonomike botërore, u përmend roli, që mund të ketë Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, në programet për zhvillimin e qëndrueshëm pas vitit 2015, zhvillim që respekton ambientin e njëkohësisht, i aftë ta zvogëlojë distancën ndërmjet të pasurve e të varfërve”.
Takimi i sotëm konfirmoi “vlerësimin e Selisë së Shenjtë për rolin qendror të Organizatës së Kombeve të Bashkuara në kërkimin e së mirës së përbashkët të njerëzimit. Nga ana tjetër, nuk mungoi të kujtohej as kontributi i Kishës Katolike, me mjetet e saj e në respektimin e identitetit vetjak, në favor të promovimit të dinjitetit njerëzor, të paqes e të kulturës së takimit, duke uruar që vlera të tilla të frymëzojnë gjithmonë debatet dhe vendimet e Asamblesë së Përgjithshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.