2013-05-31 13:37:55

Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës së Korpit e Gjakut të Krishtit


Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit ‘C’
Ja përsëri në takimin me Fjalën e Zotit të liturgjisë Hyjnore. Kësaj here do të dëgjojmë e meditojmë së bashku Fjalën e Zotit të solemnitetit të Korpit e Gjakut të Krishtit.
Festa e Korpit të Krishtit është mister i pakapshëm për atë mendje njerëzore që nuk ndriçohet nga feja, që nuk frymëzohet e nuk gjallërohet nga dashuria e Krishtit. Kjo festë na kujton Sakramentin e Eukaristisë, në të cilin Jezu Krishti na la tërë vetveten: korp e gjak, shpirt e hyjni. Prandaj edhe është konsideruar gjithnjë si më i shenjti ndër Sakramente.
I Shenjtueshmi Sakrament i Eukaristisë, kujtesë e gjallë e flijimit të Krishtit Shëlbues, themeluar atë të Enjte të cilën e quajmë të Shenjtë e të Madhe të Pashkëve, kur Shpëtimtari i njerëzimit, Jezu Krishti kremtoi Pashkët e tij të fundit me apostujt e vet: ishte Darka e Mbrame, përmbushje e darkës së Pashkëve hebraike dhe përurim i ritit eukaristik.
Pra, në Eukaristinë Shenjte, Jezusi vërtetë e dhuron Korpin e Gjakun e tij, bëhet Bukë e gjallë, ushqim i pashtershëm e i domosdoshëm për të gjithë njerëzit e të gjithë shekujve. Eukaristia, themeluar nga Jezu Krishti në Darkën e Mbrame me apostujt, është Sakramenti intim, familjar, prandaj në Kishën e lashtë, kur jepej kungimi apo eukaristia, shqiptoheshin fjalët: “sancta sanctis – dhuratë shenjte për shenjtorët”.
Prandaj liturgjia e Fjalës së Zotit e këtij solemniteti e fton, “secilin më parë të shqyrtojë mirë vetveten e pastaj të hajë nga kjo bukë e të pijë nga ky kelk!”. Eukaristia është forcë e cila shkon përtej mureve të Kishave tona, sepse në këtë sakrament Zoti është gjithnjë për udhë, përherë në udhëtim drejt botës, Ai është udhëve të njerëzimit. Për këtë Fjala e Zotit e kësaj feste na thërret të bëhemi rrugë e Krishtit që përshkon botën me dritën e Tij Jetëdhënëse.
Në Bukën Eukaristike ne bashkohemi me Krishtin, e lemë veten të përshkohemi, madje të depërtohemi, të përshkohemi nga Ai që është Zot, Krijues, Shëlbues. Jeta jonë shkrihet me të Tijën, shndërrohet në jetën e Tij, që është dashuri e gjallë. Kështu Adhurimi Eukaristik bëhet pjesë e domosdoshme për t’u bashkuar përherë e më tepër me Të.
Kjo festë na flet me një gjuhë të mbinatyrshme, të vështirë për mendjen tonë njerëzore, e cila mbetet si e mundur nga misteri. Prandaj për t’i zbuluar thellësitë mahnitëse të pranisë së Krishtit në trajtën e bukës e të vërës, duhet pasur fe të gjallë, apo më mirë lypet feja e gjallëruar nga dashuria. Vetëm kush beson e kush dashuron, mund të kuptojë paksa nga ky mister i pagabueshëm i fesë së krishterë, falë të cilit Zoti bëhet i afërt me vogëlsinë tonë njerëzore, kërkon lumturinë tonë, na tregon se Ai është dashuria e pakufishme që dhuron jetën e pavdekshme.
“ Ky është Korpi im, ky është Gjaku im”: këto fjalë i dëgjojmë çdo herë që kremtojmë Meshën Shenjte, Eukaristinë, dmth. përkujtimin e Besëlidhjes së Re e të Amshuar që Zoti ka vendosur me njerëzimin nëpër Birin e vet Jezu Krishtin, për shëlbimin (shpëtimin) e mbarë botës.
Pra, në misterin e shenjtë të Korpit e Gjakut të Jezus Krishtit, Zoti i jep njerëzimit dhuratën e jetës, të bashkimit dhe të paqes. Në Sakramentin e Eukaristisë që është burim e kult i çdo shenjtërie, i çdo fuqie shpirtërore, besimtarët e adhurojnë Zotin dhe shpallin lavdinë e Tij të përjetshme.
Kështu nga Pashkët tek Ngjitja e Krishtit në qiell, nga Rrëshajët tek e Shenjtnueshmja Trini e deri në Solemnitetin e sotëm të Korpit e Gjakut të Krishtit, Kisha çdo vit e udhëheq të pagëzuarin nga një mister tek tjetri, në mënyrë që gjatë kohës së zakonshme të mos e harrojë për asnjë çast burimin e cakun e jetës së tij të krishterë.
Solemniteti i Korpit e i Gjakut të Krishtit është takim i rëndësishëm feje për çdo bashkësi të krishterë. Festa lindi në rrethana të caktuara historike e kulturore me qëllim që populli i Zotit ta ripohonte haptazi besimin e vet në Jezu Krishtin e gjallë e vërtetë të pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Është, pra, festë e themeluar për ta adhuruar, për ta lumnuar e për ta falënderuar publikisht Zotin i cili, në Sakramentin eukaristik, vijon të na dojë deri në fund të fundit, deri në dhurimin e korpit e të gjakut të vet (Sacramentum caritatis, 1).
Kremtimi eukaristik i solemnitetit rikrijon atmosferën shpirtërore të së Enjtes së Madhe, na çon në Çenakull, ku Krishti themeloi Eukaristinë. Corpus Domini është rikthim në misterin e së Enjtes së Madhe, gati-gati si të donim t’i bindeshim ftesës së Jezusit për ta predikuar nga pullazet, atë që ai na e ka thënë në vesh”(cfr. Mt. 10,27). Apostujt e morën dhuratën e Eukaristisë në intimitetin e Darkës së Mbrame, por kjo darkë nuk u shtrua vetëm për ta.
Rreth asaj sofre ishin të ftuar të gjithë njerëzit e botës, ftesë që e nxit Kishën ta nxjerrë vazhdimisht Sakramentin jashtë, në mënyrë që çdo njeri të mund ta takojë Jezusin, i cili kalon sot nëpër rrugët tona, ashtu si kalonte nëpër rrugët e Galilesë, të Samarisë e të Judesë e që gjithkush, duke e marrë në zemër, të shërohet e të përtërihet nga forca e dashurisë së tij. Kjo është trashëgimia e përhershme dhe e gjallë që na la Krishti në Sakramentin e Korpit e të Gjakut të tij, trashëgimi që duhet rimenduar e rijetuar vazhdimisht me qëllim që, siç pati thënë Papa Pali VI, “Të vulosë me forcën e vet të pashtershme, të gjitha ditët e jetës sonë të vdekshme” (Mësime, V[1967], fq. 779).
Pas 40 ditëve të Krezhmëve dhe 50 ditëve të Kohës së Pashkëve, liturgjia kremton tri festa me karakter sintetik: Trininë Shenjte, Korpin e Krishtit dhe, së fundi, Zemrën e Krishtit. E sot solemniteti i Korpit të Krishtit, na kujton se si t të krishterë duhet të mblidhemi nga të katër anët, për t’u gjunjëzuar në praninë e të vetmit Zot e për t’u bërë një gjë e vetme me Të.
Kjo e kremte na mëson se Eukaristia dëshiron të na çlirojë nga çdo ligështi, të na ngrejë përsëri në këmbë, sa herë që rrëzohemi, për ta rifilluar rrugën e drejtë me forcën që Hyji na jep përmes Jezu Krishtit.
Por nuk mjafton të ecësh përpara, duhet shikuar mirë edhe ku po shkon. Nuk mjafton ‘progresi’, në se nuk ka asnjë kriter referimi. Madje, në se dredhon rrugë, rrezikon të biesh në greminë, ose të largohesh me shpejtësi nga caku. Zoti na krijoi të lirë, por nuk na la vetëm: u bë Ai vetë rrugë e erdhi të ecë së bashku me ne, që duke qenë të lirë, të kemi edhe mundësinë për të zgjedhur rrugën e drejtë.
Ta adhurosh Hyjin e Jezu Krishtit, që u bë bukë e thyer për dashuri, është ilaçi më i mirë kundër të gjitha idhujtarive të djeshme e të sotme. Gjunjëzimi para Eukaristisë, është besojma e lirisë: kush përkulet para Jezu Krishtit, nuk mund e nuk duhet të përkulet para asnjë pushteti tokësor, sado i fuqishëm të jetë.
Ne, të krishterët, gjunjëzohemi vetëm para të Shenjtnueshmit Sakrament, sepse në të është i pranishëm i vetmi Zot i vërtetë, që krijoi botën dhe e desh aq, sa t’i dhurojë Birin e tij të vetëm. Përkulemi para një Zoti, që u përkul i pari mbi njeriun e munduar, si Samaritani i Mirë.
Ta adhurosh Korpin e Krishtit, do të thotë të besosh se aty, në atë copëz buke, është i pranishëm vetë Jezusi, që i jep kuptimin e vërtetë jetës: si universit të pafundmë, ashtu edhe krijesës më të vogël; si mbarë historisë njerëzore, ashtu edhe jetës më të shkurtër. Eukaristia e ushqen shpirtin me dashuri, me vërtetësi, me paqe, me shpresë, sepse Krishti, para të cilit gjunjëzohemi, nuk na gjykon, nuk na shkel, por na çliron e na shndërron!
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë Zan 14, 18-20
Melkizedeku ishte një meshtar pagan, që përfaqësonte kultin e hapur ndaj të gjitha kombeve. Nuk njihet origjina e tij e për këtë mendohej se origjina e tij vinte nga Hyji dhe për këtë ishte ndërmjetësi i vërtetë mes Hyjit dhe popullit. Ai ishte mbret, sepse kujdesej për popullin e tij. Duke i ofruar Abrahamit bukën dhe verën, paraprin ofertën e Krishtit në Darkën e fundit.

Lexim prej Librit të Zanafillës
Në ato ditë, Melkizedeku, mbreti i Salemit, prifti i Hyjit tejet të lartë, i solli bukë e verë, e bekoi dhe tha: “Qoftë bekuar Abrami prej Hyjit tejet të lartë, që krijoi qiellin e tokën! Qoftë bekuar Hyji tejet i lartë që i lëshoi armiqtë e tu në duar të tua!” Abrami i dha të dhjetën e të gjithave.
Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin!

Psalmi 109/110
Ti, o Krisht, je meshtar për amshim
I tha Zoti Zotit tim:
“Rri në të djathtën time,
derisa t’i vë armiqtë e
tu shtrojë për këmbët e tua!”

Skeptrin e pushtetit tënd
Zoti do ta shtrijë nga Sioni:
sundo midis armiqve të tu!

Ty të përket më i larti pushtet
në ditën e fuqisë sate,
në shkëlqime të shenjta:
nga kraharori para Yllit të Dritës
unë të linda.

Zoti u përbetua, assesi s’do të pendohet:
“Ti je prift për amshim
në mënyrën e Melkizedekut.”

Leximi i dytë 1Kor 11,23-26Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve
Vëllezër, atë mësim që mora prej Zotit, atë edhe juve ua mësova, domethënë se Zoti Jezus, atë natë që po tradhtohej, mori bukën, u falënderua, e theu dhe tha: “Ky është Korpi im – për ju. Bëni këtë në përkujtimin tim!” Po ashtu, pasi u krye darka, mori edhe kelkun e tha: “Ky kelk është Besëlidhja e re në Gjakun tim. Bëni këtë, gjithsaherë që të pini, në përkujtimin tim!” Për të vërtetë, kurdo të hani këtë bukë e të pini këtë kelk, lajmëroni vdekjen e Zotit, deri që Ai të vijë. Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin

Aleluja! Aleluja

Unë jam buka e gjallë që zbriti prej qiellit: nëse ndokush e ha këtë bukë, do të jetojë për amshim.
Aleluja
Ungjilli Lk 9, 11-17

Shumëzimi i bukëve bën të lindë në turmë shpresën që Jezusi të jetë me të vërtetë Mesia i shumëpritur që do të kishte çliruar popullin në planin politik dhe shoqëror. Por Jezusi nuk është ky tip Mesie. Për këtë, pas shumimit, tërhiqet në një vend të izoluar për të ungjillëzuar apostujt.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës
Në atë kohë Jezusi predikonte mbi Mbretërinë e Hyjit dhe i shëronte ata që kishin nevojë shërimi. Kur dita filloi të shkojë kah mbarimi, iu afruan të dymbëdhjetët dhe i thanë: “Nise popullin të shkojë në fshatra e në katunde të rrethinës, të gjejë strehim e ushqim, sepse këtu jemi në vend të shkretë.” “Jepni ju të hanë!” – u tha ai. Ata iu përgjigjën: “Ne s’kemi më se pesë bukë e dy peshq. Vetëm nëse shkojmë e blejmë ushqim për gjithë këtë popull!” E ishin rreth pesë mijë burra.
Atëherë u tha nxënësve të vet: “Vëni të rrinë në grupe nga pesëdhjetë vetë!” Bënë ashtu: i ulën të gjithë. Ai i mori pesë bukët e dy peshqit, shikoi kah qielli, i bekoi dhe i ndau. Pastaj ua dha nxënësve t’ia vënë popullit përpara. Hëngrën të gjithë dhe u nginë. Prej çka u teproi çuan dymbëdhjetë shporta me copa.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Më shumë mbi Liturgjinë e Fjalës së Zotit te kësaj feste mund të dëgjoni këtu.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.