2013-05-30 14:37:14

Imzot Tomazi: të ulen armët në Siri, ku njerëzit paguajnë një çmim tepër të lartë për luftën


Të ulen armët në Siri e të fillojnë bisedime për paqen, për t’i dhënë shpresë popullsisë së rrënuar nga dhuna: kjo është thirrja e Vëzhguesit të Përhershëm të Selisë së Shenjtë në selinë e OKB-së në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi, i cili foli gjatë seksionit të 63-të të Këshillit për të drejtat e njeriut.
Në Siri, denoncoi prelati, janë shkatërruar mijëra jetë; një milion e gjysëm persona kanë ikur nga vendi si refugjatë nëpër udhët e botës; mëse 4 milion të tjerë nuk kanë më shtëpi e shumë civilë janë vënë në shënjestër nga vrasës të paskrupullt, që nuk e përfillin aspak të drejtën humanitare. Kjo tragjedi e jashtëzakonshme kombëtare ka rrezik t’i intensifikojë konfliktet rajonale e globale, vazhdoi imzot Tomazi, duke i shndërruar ambiciet politike në ndeshje etnike e fetare me karakter fondamentalist.
Rruga që duhet ndjekur, theksoi përfaqësuesi i Vatikanit, nuk është armatosja e popullsisë, por dialogu dhe pajtimi, që mund të nxiten edhe me konferencën e paqes, e cila është në plan të mbahet në Gjenevë në qershor. Por, siç theksoi edhe imzot Tomazi, Rusia dhe SHBA-të, që e kanë organizuar, duhet të kenë vullnetin politik për ta mbajtur premtimin. Prelati kujtoi impenjimin e Selisë së Shenjtë dhe thirrjen e Papës Françesku për paqen në Siri. Vuri në dukje gjendjen e kampeve të refugjatëve, sidomos të fëmijëve, që vuajnë më shumë nga pasojat e konfliktit, duke kërkuar solidaritetin e bashkësisë ndërkombëtare. Kërkoi që të miturit pa prindër e të afërm të ndihmohen për të mos rënë në duart e trafikut e të shfrytëzimit. Të heshtin armët, është përparësi, nënvizoi së fundi imzot Tomazi, por është e nevojshme edhe të kapërcehet çdo lloj pesimizmi për rezultatet e bisedimeve. Të gjithë duhet të përpiqen për paqen, rindërtimin e rivendosjen e marrëdhënieve shoqërore të bazuara mbi të drejtat e njeriut e mbi interesat e përbashkëta të familjes njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.