Papa Françesku: ta mundim tundimin e Kishës pa kryq; trumfalizmi e ndal në vend Kishën
Triumfalizmi e ndal Kishën në vend: është tundimi i krishterimit pa kryq, ndërsa Kisha
duhet të jetë e përvuajtur. Këtë pohoi sot Papa gjatë Meshës, kremtuar në Shtëpinë
e Shën Martës. Të pranishëm, disa punonjës të Governatoratit.
Ungjilli i ditës
tregon se Jezusi, duke u ngjitur me dishepujt kah Jeruzalemi, u kumton mundimet, vdekjen
e ngjalljen e Tij. Është udha e fesë. Dishepujt, shpjegoi Papa në homeli, kanë plane
të tjera, mendojnë të bëjnë vetëm gjysmën e rrugës, besojnë se është më mirë të ndalen
e të diskutojnë si ta sistemojnë Kishën, si ta rregullojnë punën e shëlbimit. Kështu,
Gjoni e Jaku i kërkojnë Krishtit të ulen, në Lavdinë e Tij, njëri në të djathtën e
tjetri, në të majtën e Zotit, duke ndezur, kështu, diskutimin e të tjerëve për rolin
e secilit prej tyre në Kishë. Dishepujt tundohen, njëlloj si u tundua Jezusi në shkretëtirë,
kur djalli e joshi për të ecur në një udhë tjetër: “Bëje gjithçka shpejt e shpejt,
bëj një mrekulli, diçka që ta shikojnë të gjithë. Të shkojmë në Tempull e bëju parashutist
pa parashutë, kështu të gjithë do ta shikojnë me sytë e tyre mrekullinë, e mbaron
puna: shëlbohen të gjithë”. Është edhe tundimi i Pjetrit në çastin e parë, kur
nuk do t’i pranojë mundimet e Krishtit, nuk do ta dëgjojë fjalën ‘Kryq’. E është
tundimi i një krishterimi pa Kryq, që ndalet në mes të udhës. Por ka edhe tundime
të tjera; tundimi i krishterimit me kryq, por pa Krisht, për të cilin, shpjegoi Papa,
do të flas një herë tjetër. Tundimi i krishterimit pa kryq, i joshjes për të qenë
të krishterë, që ndalohen në mes të udhës, Kishë që mbetet në mes të udhës, që nuk
do të mbërrijë atje, ku do Ati, është tundimi i triumfalizmit. E duam triumfin në
çast, pa shkuar tek Kryqi, triumf ashtu si e kupton bota, triumf i arsyeshëm: “Triumfalizmi
në Kishë e ndal në vend Kishën. Triumfalizmi në të krishterët, i ndalon në mes të
rrugës të krishterët. Është Kishë triumfaliste, Kishë në gjysmë të udhës, Kishë që
ndjehet e lumtur kështu, e rregulluar mirë e bukur! Me të gjitha zyrat e duhura. Gjithçka
në rregull, gjithçka për bukuri, e? E aftë. Por një Kishë që mohon martirët, nuk
e di se martirët janë të nevojshëm në Kishë, për të kuptuar udhën e Kryqit. Një Kishë,
që s’mendon për tjetër, veç për triumfe, suksese, nuk e di këtë rregull të Jezusit:
rregullin e triumfit përmes dështimit, dështimit njerëzor, dështimit të Kryqit. E
ky është tundim që, nga pak, e kemi të gjithë”. Papa, pastaj, kujtoi një
çast të posaçëm të jetës së tij: “Kujtoj një herë, kur kaloja një
çast të errët të jetës sime shpirtërore e kërkoja hirin e Zotit. Pastaj shkova t’u
predikoj ushtrimet shpirtërore motrave e, ditën e fundit, i rrëfeva. Erdhi të rrëfehej
një motër e moshuar, më se 80 vjeçe, por me dy sy të kthjelltë, plot dritë: ishte
grua e Zotit. Në fund, si e pashë mirëfilli se ishte vërtet grua e Zotit, i thashë:
‘Po, moj motër, si pendesë, po të porosis të lutesh për mua, sepse kam nevojë për
një hir, e? Nëse ia kërkon ti, Zoti do të ma japë patjetër!’. Ajo u ndalua një çast,
si të donte të lutej, e më tha: “Sigurisht që Zoti do të ta japë hirin, por mos gabo:
do të ta japë në mënyrën e tij hyjnore!’. Kjo më bëri shumë mirë. Është mirë të dëgjosh
se Zoti na e jep gjithnjë atë, që i kërkojmë, por në mënyrën e Tij hyjnore. E mënyra
e Tij hyjnore është kjo: deri në fund të fundit. Mënyra hyjnore përfshin edhe Kryqin,
jo për mazokizëm, jo, jo! Për dashuri. Për dashuri, deri në fund të fundit”. Papa
e përfundoi Meshën me këtë lutje: “T’i lypim Zotit hirin të mos jemi Kishë
në gjysmë të rrugës, Kishë triumfaliste, e sukseseve të mëdha, por Kishë e përvuajtur,
që ecën përpara vendosmërisht, si Jezusi. Përpara, përpara, përpara! Zemër e hapur,
për të pranuar vullnetin e Atit, si Jezusi. Ta kërkojmë këtë hir!”.