2013-05-28 18:13:30

Të enjten Papa kryeson meshën e procesionin e Korpit të Krishtit në bazilikën e Shën Gjonit në Lateran


Të enjten më 30 maj, në ora 19.00, Papa Françesku do të kryesojë kremtimin eukaristik në solemnitetin e Të Shenjtueshmit Korpit e Gjakut të Krishtit, në sheshin para bazilikës romake të Shën Gjonit në Lateran. Kështu njofton Vikariati i dioqezës së Romës. Në mbarim të Meshës, Ati i Shenjtë Françesku do t’i prijë procesionit solemn eukaristik nëpër udhë të Romës nga bazilika e Lateranit deri në bazilikën liberiane. “Ky kremtim – pohon kardinali Vikar Agostino Vallini në letrën drejtuar famullive kishtare të Romës – merr një domethënie teje të rëndësishme në këtë Vit të Fesë gjatë të cilit jemi të ftuar ta dëshmojmë edhe nëpër udhë të qytetit tonë fenë në praninë reale të Jezu Krishtit në të Shenjtueshmin Sarkament të Ekuaristisë”.
Eukaristia e bën njeriun një gjë të vetme me Jezusin e, mbi gjurmët e Krishtit, e shndërron në dhuratë për të tjerët, në mjet, për unitetin e familjes njerëzore. Këtë na mëson Kisha, posaçërisht në kremtimin e Solemnitetit të ‘Corpus Domini’ – ‘Koprit të Krishtit’, të cilën do ta festojë këtë të enjte në Vatikan e të dielën e ardhshme në të gjitha Kishat katolike në botë. Në këtë feste, në Romë në Bazilikën e Shën Gjonit në Lateran, pas kremtimit të Meshës, zhvillohet procesionit eukaristik deri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, të cilën do ta kryesojë Papa.
Në Eukaristi ndodh shndërrimi i dhuratave të kësaj toke – bukës e verës – që e shndërrojnë, pastaj edhe jetën tonë, për të përuruar shndërrimin e botës. Në solemnitetin e Korpit të Krishtit, Kisha i fton të gjithë të meditojnë për misterin e Krishtit, që dhuron vetveten mbi Kryq, duke e shpëtuar botën e duke i treguar rrugën e shëlbimit. Një ngjarje, kjo e Kalvarit Benedikti që Zoti e përshpejton dhe e përsërit në themelimin e Eukaristisë, në të cilën buka e thyer dhe vera e hedhur në kelk, bëhen Korpi e Gjaku i Krishtit, udha për bashkimin me Të e shtegu i vetëm i shpëtimit.
Gjithçka niset nga Zemra e Krishtit i cili, në Darkën e Mbrame, një natë para mundimeve, e falënderoi dhe e lumnoi Hyjin Atë e, duke bërë kështu, me pushtetin e dashurisë së tij, e shndërroi kuptimin e vdekjes, që e priste.
Për dashuri Krishti i pranoi vullnetarisht mundimet, me të gjithë tmerrin e dhunën e tyre, deri në vdekje. Deri në kryq. Duke e pranuar në këtë mënyrë, e shndërroi kryqin në akt dhurimi. E ky është shndërrimi, për të cilin ka nevojë bota, sepse ia shëlbon shpirtin, i hap përmasat e Mbretërisë së Qiellit. Por këtë përtëritje të botës, Zoti dëshiron ta realizojë gjithnjë përmes së njëjtës udhë, në të cilën eci Jezusi, asaj udhe, që është Ai vetë. Prandaj Zoti i dorëzon botës dhuratën e Eukaristisë, për t’i krijuar të gjithë njerëzve mundësinë e çlirimit nga mëkati e për t’i dhënë dhuratën e shëlbimit. Krishterimi nuk njeh udhë të shkurtra, pse gjithçka kalon përmes logjikës së përvuajtur e durimtare të kokrrës së grurit, që copëtohet, bie në dhe e shpërbëhet, për të dhënë jetë; logjikës së fesë, që i luan nga vendi malet me forcën e Zemrës së butë e të përvujtë të Zotit tonë Jezu Krisht.
Prandaj Zoti dëshiron të vijojë ta përtërijë njerëzimin, historinë e kozmosin, përmes këtij zinxhiri shndërrimesh, Sakramenti i të cilave është Eukaristia. Me anën e bukës e të verës së shuguruar gjatë kremtimit të Eukaristisë Shenjte, në të cilat është realisht i pranishëm Korpi e Gjaku i Tij, Krishti na shndërron, na bën një gjë të vetme me vetveten, na përfshin në veprën e tij të shëlbimit, duke na bërë të aftë, për virtyt të Shpirtit Shenjt, të jetojmë sipas së njëjtës logjikë të dhurimit, si kokrra e grurit, të shkrirë me Të e në Të. Kështu mbillen e piqen, në brazdat e historisë, bashkimi e paqja, cak drejt të cilit shkojmë, sipas planit të Zotit.
Për ta bërë më të kuptueshme dinamikën e bashkimit eukaristik, po kujtojmë një fragment nga vepra e Shën Agostinit, i cili na ndihmon ta kuptojmë dinamikën e bashkimit eukaristik, kur kujton një lloj vegimi, që pat, në të cilin Jezusi i tha: ‘Unë jam shujta e të fortëve! Rritu, e do të të ushqej! Ti nuk do të më shndërrosh mua në ty, si ushqim të trupit, por do të shndërrohesh ti vetë në Mua! Kështu, pra, ndërsa ushqimi, që marrim çdo ditë, asimilohet nga organizmi ynë dhe i jep jetë, në rastin e Eukaristisë, është fjala për një tjetër lloj buke: nuk jemi ne, që e asimilojmë atë, por është ajo, që na asimilon ne, kështu që bëhemi një me Jezu Krishtin, gjymtyrë të Korpit të Tij, një gjë e vetme me Të”.
Kur marrim Kungimin Krishti na shndërron në vetveten. Në këtë takim, ne bëhemi plotësisht të Tijtë, çlirohemi nga adhurimi për vetveten tonë të vogël e shkrihemi në Vetjen e Jezusit. Kështu Eukaristia, ndërsa na bashkon me Krishtin, na i hap zemrat për të pranuar edhe të tjerët, deri në atë pikë, sa të mos jemi më të ndarë, por një gjë e vetme në Të.
Kush e pranon Jezu Krishtin në Hosten Shenjte, e pranon në vëllain, që vuan, që ka uri, etje, që është i huaj, i zhveshur, i sëmurë, i burgosur; e është i vëmendshëm ndaj çdo njeriu, që impenjohet, në mënyrë konkrete, për të gjithë nevojtarët. Nga dhurata e dashurisë së Krishtit, buron përgjegjësia jonë e posaçme e krishterë për ndërtimin e një shoqërie solidare, të drejtë, vëllazërore. Posaçërisht në kohën tonë, kur globalizimi na bën gjithnjë më të varur nga njëri-tjetri, krishterimi mund e duhet të veprojë në mënyrë që ky bashkim të mos ndërtohet pa Zotin, domethënë, pa Dashurinë e vërtetë. Ungjilli pra, synon gjithnjë të krijojë unitetin e familjes njerëzore, duke u nisur nga ndjesia e përgjegjësisë për njëri-tjetrin, sepse Sakramenti i Elterit, që e ndajmë së bashku, na mësoi e vijon të na mësojë, se dashuria është rruga e vërtetë e drejtësisë dhe e paqes.
Ja lutja e bukur që shqiptohet pas Kungimit të Shenjtë gjatë Meshës.
Shpirti i Krishtit, më shenjtëro mua.
Trupi i Krishtit, më shëlbo mua.
Gjaku i Krishtit, deh më ngij mua.
Ujët e kraharorit të Krishtit, më pastro mua.
Mundimi i Krishtit, më forco mua.
O i ëmbli Jezus, më dëgjo mua.
Ndër plagë të tua më fshih mua.
Mos lejo të ndahem prej teje.
Prej armikut të shpirtit më dil zot mua.
Në fill të vdekjes sime, Ti më thirr mua.
E më urdhëro të vij te Ti,
që me shenjtër të të lëvdoj Ty,
përgjithmonë e motit të jetës. Amen!










All the contents on this site are copyrighted ©.