2013-05-28 13:13:16

Shtegtimi i katolikëve shqiptarë në bazilikën e Shën Palit në Romë


Vijon në Romë shtegtimi i mase 350 besimtarëve katolikë shqiptarë nga të gjitha trevat në kuadrin e Vitit të Fesë. Të udhëhequr nga shumë ipeshkvij shtegtarët katolikë shqiptarë sot në ora 10.30 morën pjesë në Meshën Shenjte kremtuar në Bazilikën e Shën Palit Apostull në Romë. Kremtimin Eukaristik e kryesoi ipeshkvi i Kosovës, imzot Dodë Gjergji, me të cilin bashkëkremtuan Presidenti i Konferencës Ipeshkëvnore të Shqipërisë e kryeipeshkvi i Shkodër-Pultit, imzot Angelo Massafra, kryeipeshkvi i Tivarit imzot Zef Gashi, ipeshkvi i Rrëshenit, imzot Cristoforo Palmieri e shumë meshtarë e rregulltarë tjerë, imzot Lucjan Avgustini, ipeshkëv i Sapës e imzot Ottavio Vitale, ipeshkëv i Lezhës.
Në homelinë e Meshës, imzot Dodë Gjergji foli mbi figurën e shembullin e Shën Palit Apostull, që na mëson si ta pranojmë e të ndjekim Krishtin në udhën e jetës së përditshme duke qëndruar besnik në çdo vështirësi.
Imzot Gjergji pastaj foli mbi misionin e shën Palit Apostull, mbi dashurinë që zbuloi në Jezu Krishtit Shëlbues, mbi forcën që pati përherë gjatë veprimtarisë së përhapjes së Lajmit të Mirë ndër popujt, mes të cilëve edhe në mesin e popullit shqiptar.
Pas shtegtimit, të dielën, të besimtarëve katolikë shqiptarë në Shenjtëroren e Zojës së Këshillit të Mirë në Genazzano afër Romës, dje më 28 maj në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, nesër para dite itinerari i shtegtimit vijon në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikanit, me pjesëmarrjen në Audiencën e Përgjithshme të Papës Françeskut. Pas takimit me Papën Bergoglio shtegtarët katolikë shqiptarë do të kthehet në Bari të Italisë, ku rreth orës 19,30 do të jetë Mesha në Kishën Katedrale të Shën Kollit, të cilën do të kryesojë ipeshkvi i Sapës, imzot Lucjan Avgustini, e në mbrëmje kthimi për në vendlindje.
Kujtojmë se ky shtegtim i besimtarëve shqiptarë është organizuar nga Konferenca Katolike e Shqipërisë në bashkëpunim me kryedioqezën e Tivarit dhe Administraturën Apostolike të Kosovës, me rastin e Vitit të Fesë e atë të 1700-vjetorit të Ediktit të Milanos. Të dëgjojmë tre ipeshkvij shqiptarë imzot Zef Gashin, imzot Dodë Gjergjin e imzot Lucjan Avgustinin, në mikrofonin e don David Gjugjës...RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.