2013-05-28 12:52:39

Papa: Shihni shembullin e Nënë Terezës, Jezusi nuk ndiqet për karrierë, udha e Tij është Kryqi.


Qe Nënë Tereza, e lumja shqiptare e bamirësisë, protagoniste e meshës së mëngjesit të Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë e mori si shembull për t’u thënë të pranishmëve se Lajmi i Mirë i Krishtit nuk është një lloj boje, me të cilën i japim vetvetes një farë pamjeje të jashtme, por është mesazh, që shkon drejt e në zemër dhe e ndryshon atë. Ashtu siç bëri Nënë Tereza, të ndjekësh Krishtin nuk do të thotë të kesh më tepër pushtet, pasi udha e Jezusit është Kryqi.
Dikur, nënvizoi Papa në homeli, thuhej se ndokush, që fëmijë, donte të ndërmerrte karrierën kishtare, a thua se të ndjekësh Jezusin do të thotë të bësh karrierë. Por nuk është kjo fryma e Krishtit. Shën Pjetrit, kur flet për karrierë, për çmimin që do të duhej t’u takonte apostujve, nëse e ndiqnin – citoi Papa leximet liturgjike – Jezusi i përgjigjet: “Po, do të të jap gjithçka me persekutimin”. Në Udhën e Jezusit gjejmë gjithnjë Kryqin, nënvizoi Ati i Shenjtë, por nga ana tjetër, i krishteri nuk duhet t’i bëjë keq vetes me çdo kusht. I krishteri e ndjek Jezusin për hir të dashurisë e bota nuk e toleron këtë dëshmi:
“Mendoni për Nënë Terezën: çfarë thotë bota për Nënë Terezën? ‘Ah, e Lumja Terezë është grua e bukur, ka bërë shumë gjëra të mira për të tjerët…’. Bota nuk thotë kurrë se e Lumja Nënë Terezë, çdo ditë, për orë e orë të tëra, adhuronte Hyjin… Kurrë nuk e thotë! E redukton veprimtarinë e krishterë në bamirësi. Sikur jeta e krishterë të ishte një lloj boje e praruar krishterimi. Lajmi i Jezusit nuk është bojë për t’u lyer me të: Lajmi i Jezusit arrin deri në palcë, në zemër, deri brenda e na shndërron. Pikërisht këtë nuk e toleron fryma e botës, nuk e duron, prandaj vijnë persekutimet”.
Vetë Jezusi, theksoi Papa Françesku, na thotë se do të na japë “shumë gjëra të bukura”, por “me persekutim”. Udha e Zotit përfundon në Kryq. Prandaj, persekutimet, vështirësitë, do të ekzistojnë gjithmonë. Kur i krishteri nuk ka vështirësi në jetë, diçka nuk shkon. Ndoshta, tha Ati i Shenjtë, i është përshtatur pak si tepër frymës së botës, që mbetet gjithnjë tundim për secilin:
“Ta ndjekim Jezusin, posi, por deri në një farë pike; ta ndjekim Jezusin si të ishte ndonjë formë kulturore: jam i krishterë, kam këtë kulturë… Ama, pa e ndjekur vërtet Jezusin, pa iu përgjigjur kërkesës për të ecur në rrugën e Tij. Nëse Jezusi ndiqet si propozim kulturor, përdoret kjo udhë për të shkuar më lart, për të pasur më tepër pushtet. E historia e Kishës është plot me këta njerëz, duke filluar nga disa perandorë e pastaj shumë qeveritarë e shumë të tjerë, apo jo? Edhe disa – nuk dua të them shumë, por po them ‘disa’ – meshtarë, disa ipeshkvij, apo jo? Ndokush thotë se janë shumë… por ky ndokushi mendon se të ndjekësh Jezusin do të thotë të bësh karrierë”.
Ata, që e lënë shtëpinë e familjen për të ndjekur Jezusin, vazhdoi Papa Françesku, fitojnë 100 herë më shumë që tani, në këtë jetë. 100 herë më shumë, së bashku me persekutimet. E kjo nuk duhet harruar:
“Ndjekja e Jezusit është pikërisht kjo: për hir të dashurisë të shkojmë me Të, pas Tij, e njëjta udhë, e njëjta rrugë. E fryma e botës nuk do ta durojë këtë e do të na bëjë të vuajmë, por është vuajtje si ajo e Jezusit. T’ia kërkojmë Zotit këtë hir: ta ndjekim Jezusin në udhën, që Ai na tregoi e na mësoi. Është e bukur, sepse Krishti nuk na lë kurrë vetëm. Kurrë! Është gjithnjë me ne”.







All the contents on this site are copyrighted ©.