2013-05-28 15:19:37

Imzot Tomazi në OKB: çdo vit vriten mëse 100 mijë të krishterë, mjaft me persekutime


Selia e Shenjtë shpreh “shqetësimin e saj të thellë” për dhunimin e lirisë fetare e për sulmet sistematike kundër bashkësisë së krishterë në disa zona të botës si Afrika, Azia dhe Lindja e Mesme. Dje, Vëzhguesi i Vatikanit në selinë e OKB-së të Gjenevës, imzot Silvano Maria Tomazi e ngriti zërin për të denoncuar se, sipas hetimeve të besueshme, mëse 100 mijë të krishterë vriten çdo vit për arsye fetare. Të tjerë shpërngulen me forcë, pësojnë përdhunime, u rrëmbehen liderët fetarë dhe u shkatërrohen vendet e kultit. Shumë prej këtyre akteve, vazhdoi imzot Tomazi, janë fryt i fanatizmit, i intolerancës, i terrorizmit dhe i ligjeve diskriminuese.
Më pas, Vëzhguesi i Selisë së Shenjtë hodhi një vështrim mbi vendet perëndimore, ku krishterimi përbën bazat e kulturës e të shoqërisë. Edhe në këto vende, denoncoi ai, po forcohet gjithnjë e më shumë prirja për ta mënjanuar krishterimin nga jeta publike, duke injoruar kontributin e tij shoqëror e historik e madje, edhe duke i penguar bashkësitë në shërbimet e tyre bamirëse. Imzot Tomazi kujtoi se Këshilli i OKB-së për të drejtat e njeriut ka pranuar prej kohësh se feja dhe përshpirtëria janë në shërbim të dinjitetit njerëzor. Prelati përmendi disa nga këto shërbime në fushën e arsimit e të shëndetësisë, të asistencës për refugjatët pa dallim race e besimi fetar. E përfundoi fjalën e tij, duke kujtuar Mesazhin e Papës Françesku për 1700 vjetorin e Ediktit të Milanos: “Të respektohet kudo e drejta e shprehjes publike të fesë e të pranohet pa paragjykime kontributi, që krishterimi vazhdon t’i japë kulturës dhe shoqërisë së epokës sonë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.