2013-05-27 13:14:57

Zyra ipeshkëvnore e Prishtinës: shtegtimi i besimtarëve në Romë me rëndësi të veçantë


Zyra e ipeshkvit të Kosovës njofton për shtegtimin e besimtarëve në Vatikan me rastin e Vitit të Fesë. Ja dhe njoftimi:

Shtegtim i besimtarëve shqiptarë në Romë e në Gjenecan gjatë Vitit të Fesë

Në kuadër të 1700 vjetorit të Ediktit të Milanos, Konferenca Ipeshkëvnore e Shqipërisë në bashkëpunim me kryedioqezën e Tivarit dhe Ipeshkvinë e Kosovës, me rastin e Vitit të Fesë që kremtohet sivjet kudo në botë, organizojnë shtegtim të besimtarëve shqiptarë në Romë dhe Gjenecano. Në këtë shtegtimi, marrin pjesë besimtarë shqiptarë nga gjitha hapësirat shqiptare, nga diaspora e gjerë shqiptare të prirë nga Ipeshkvijtë e Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi.

Sipas Papa Benediktit XVI, feja në thelbin e saj, është “të qenët shtegtar” Në këtë aspekt, Papa Benedikti thotë: shtegtimi është jo vetëm një dalje nga vetvetja nga diçka më e madhe, por edhe një ecje e përbashkët. Shtegtimi bashkon: shkojmë së bashku kah tjetri e kështu takohemi në mënyrë të ndërsjellë. Shtegtimi është një nevojë për të qenë në lëvizje shpirtërore dhe trupore, për t’u takuar njëri me tjetrin e për të gjetur qetësi, liri, ripërtëritje, e për ta takuar Zotin.

Ky shtegtim, është një rast i mirë, që besimtarët katolik shqiptarë, të vizitojnë Vatikanin, Romën për t’u njohur më për së aferim me themelet e kishës katolike. Ndërkaq vizita në Gjenacano, përbën një rëndësi të veçantë, sepse aty gjendet Shenjtërorja shqiptare, Zoja e Këshillit të Mirë, që sipas traditës gjendet Figura e Zojës së Shkodrës, e cila u bart në mënyrë të mrekullueshme gjatë pushtimit osman të tokave shqiptare. Zoja e Këshillit të Mirë është pajtorja qiellore e gjithë shqiptarëve, që nga koha e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut.

Zyra Ipeshkvnore

Prishtinë, 24. 05. 2013

Piktura është figura e Zojës së Këshillit të Mirë që bartet nga Shkodra në Gjenecano të Italisë, ku ruhet edhe sot.







All the contents on this site are copyrighted ©.