2013-05-27 18:11:38

Thirrja e Papës Françesku drejtuar mafiozëve të të gjitha ngjyrave i kapërcen kufijtë e Italisë.


Vijon, e do të vijojë, gjatë jehona e fjalëve të Papës Françesku në lutjen e Engjëllit të Tënzot të së dielës, 26 maj. Ati i Shenjtë ngriti zërin, për të denoncuar me forcë mafiet e të gjitha ngjyrave. Duke kujtuar Lumnimin e don Pino Puljisit, Ati i Shenjtë u lut që mafiozët e mafiozet të kthehen në rrugën e Zotit, pa harruar t’u kujtojë se nuk kanë asnjë të drejtë t’i shfrytëzojnë vëllezërit, bashkatdhetarët, për qëllimet e tyre kriminale:
“Mendoj për dhimbjen e thellë të burrave e të grave, por edhe të fëmijëve, të shfrytëzuar nga mafiet e shumta, që i përdorin për qëllimet tyre, duke i detyruar, me një mori presionesh shoqërore, të kthehen në skllevër, të merren me prostitucion. Pas këtij shfrytëzimi, pas kësaj skllavërie, janë mafiet. Ta lusim Zotin, që këta njerëz të pendohen, të kthehen në rrugën e Tij. Nuk mund të vijojnë kështu! Nuk mund të na bëjnë ne, vëllezërit, skllevër! Duhet ta lusim Zotin! Të lutemi, që këta mafiozë e këto mafioze të kthehen në rrugën e Zotit”.
Kujtojmë se veprimtaria mafioze i ka shtrirë prej kohe metastazat e saj edhe në trojet shqiptare, pa pritur të shembet gardhi i hekurt. E deri në atë masë, sa Shqipëria të radhitet sot në vendin e nëntë, ndërmjet 10 vendeve të botës, ku ndjehet më fort ndikimi i mafias, duke nisur nga mafia ruse, që zë vendin e parë, për të vijuar me Cosa Nostra amerikane e siciliane, Triadën kineze, Yakuzën japoneze, mafien meksikane, izraelite, serbe, shqiptare e xhamajkane-britanike Yardies (xhamaikanët e emigruar në Britani).
Burimi i këtij informacioni është një raport zyrtar i drejtuesve të lartë të FBI-së.
Raporti na kujton se mafia ka të bëjë me grupet e fshehta, të përfshira në krimet e organizuara, që synojnë të shtien në dorë monopolin mbi veprimtaritë e paligjshme, si droga, armët e zjarrit, trafikët e natyrave të ndryshme. Mafia shqiptare përbëhet nga një numër i konsiderueshëm organizatash kriminale, që veprojnë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në SHBA e vende të ndryshme evropiane, përgjithësisht, në nivel ndërkombëtar, duke nisur nga viti 1980. Mafiozët shqiptarë njihen posaçërisht për trafikim prostitutash, droge e armësh, për vepra penale, si vjedhje e mashtrime, rrëmbime e vënie gjobash. Kokat e grupeve përdorin si baza, lokale nate, të marra me qira. Zënë një nga vendet e para për përdorimin e shpejtë të dhunës e të hakmarrjes.
Sipas informacionit të Shërbimit Informativ Shtetëror në Shqipëri, disa narkotrafikantë shqiptarë me banim në vende të ndryshme të Amerikës Latine, po përpiqen të investojnë në vend, për të kamufluar trafikun e kokainës dhe riciklimin e prodhimit kriminal. Produkti kriminal, i përftuar nga narkotrafiku, vijon të investohet në blerje trojesh, ndërtim, blerje mjetesh për industrinë e rëndë, atë të lehtë e ushqimore. Nuk i mungon synimi për falsifikim parash, në bashkëpunim me mafien kalabreze e Ndragetën, të cilave iu drejtua dje Papa Françesku, duke u bërë thirrje të heqin dorë nga veprimtaritë e tyre kriminale, që dëmtojnë rëndë gjithë jetën e vendit. Prej këndej, zëri i Papës arrin edhe në Shqipëri me të njëjtën thirrje, që nisi shumë kohë më parë në gjirin e Kishës katolike. Për të flet, në mikrofonin tonë, imzot Vinçenco Bertolone, kryeipeshkëv i Katanzaros e postulator i të Lumit don Puljisi:

Përgjigje: - Një udhë kishtare, që nis në vitet ’80 e arrin një nga kulmet e veta me britmën e fuqishme të Gjon Palit II në Luginën e Tempujve, 20 vjet më parë, më 9 maj. Ky mendim, i shprehur shkurtimisht nga Papa Françesku, mund të themi se mbylli veprimtarinë për lumnimin e don Puljisit. Mesazh i mrekullueshëm, i fortë, që duhet të hyjë në mendjet e zemrat jo vetëm të palermitanëve e të sicilianëve, por të të gjithë besimtarëve të mirë. Sepse kriminaliteti i organizuar, që njihet me emrin mafie apo me ndonjë emër tjetër, është i përhapur në mbarë botën. E është në kundërshtim të plotë me Ungjillin, që përjashton çdo lloj forme të dhunës e të shfrytëzimit. Mesazh i bukur, ky i Papës, që mbylli një kremtim po aq të bukur, në Palermo, të shtunën e kaluar, përballë më se 100 mijë vetëve. Shenjë e qartë e një populli të ri, që dëshiron të çlirohet nga kjo farë e keqe, nga ky kancer, që nuk njeh zot tjetër, veç parasë e pushtetit.

Pyetje: - Të prek shumë Papa, kur i fton të gjithë të luten për mafiozët e mafiozet, se shumë janë edhe gra, duke u bërë thirrje të kthehen në rrugën e Zotit…
Përgjigje: - Më lejoni t’ju them se në thirrjen për t’u penduar e për t’u kthyer në rrugën e Zotit, përfshihet pendimi i sinqertë. Pendim fetar e qytetar. E, të mos harrojmë edhe konceptin e shpërblimit për të keqen e bërë. Pendimi i vërtetë e çliron shpirtin, e rilind, e bën njeriun të ri. Kjo është forca e krishterimit, forca e Ungjillit. Prandaj në këtë fjalë, “kthehuni” është dëshira e ringjalljes: më shumë se dënim, është ftesë për të jetuar shenjtërisht, siç dëshiron Zoti. Prania e madhe në Forin Italik të Palermos, e sigurisht edhe para televizorëve, e miliona njerëzve, që mundën ta ndjekin kremtimin, tregon se ky njeri i vogël-i madh, ky njeri i përvuajtur, me thjeshtësinë e tij meshtarake, me përvuajtërinë, me dëgjesën, varfërinë, pastrinë, ëmbëlsinë e butësinë, e ndoqi Krishtin deri në fund të fundit. U bë, kështu, figurë transparente, e gjallë për njerëzit e sotëm, sepse e lidhur ngushtë me Kryqin e Krishtit, si kokrra e grurit: në se nuk vdes, nuk lidh fryt.







All the contents on this site are copyrighted ©.