2013-05-27 15:52:18

Afrika Qendrore: dhunë kundër të krishterëve. Vendi, në duart e rebelëve të Selekës


Të krishterët e Republikës Qendroafrikane janë në shënjestër të militantëve islamikë: lidhen, rrihen e detyrohen t’u dorëzojnë atyre shuma të mëdha parash për të shpëtuar jetën e vet. Denoncimi bëhet nga një pastor protestant për agjencinë katolike Fides e flet për krijimin e një “mbretërie terrori” kundër të krishterëve nga ana e rebelëve të Selekës, që kontrollojnë vendin nga marsi i kaluar. Ata sulmojnë kryesisht meshtarë, por edhe të krishterë që punojnë, ndërsa vendet e kultit dhe pronat private të të krishterëve plaçkiten. Të shumtë janë ata që largohen nga shtëpitë për të mos u kthyer më. Mëse 200 mijë vetë janë shpërngulur nga vendi, ndërsa 49 mijë të tjerë kanë shkuar si refugjatë në vendet fqinjë.
Më 10 maj, organizata për të drejtat e njeriut “Human Rights Watch” publikoi një raport, ku denoncohen “dhunime të rënda” kundër civilëve nga ana e rebelëve të Selekës. Në to përfshihen plaçkitja, ekzekutime pa gjyq, përdhunime e tortura. Kriza e Republikës Qendroafrikane, thonë krerët e krishterë, injorohet krejtësisht nga mass media e popullsia e ndjen veten të braktisur nga bashkësia ndërkombëtare”. Javën e kaluar, e dërguara e Kombeve të Bashkuara, Margaret Vogt, e ftoi Këshillin e Sigurimit të OKB-së të reflektojë për mundësinë e disllokimit të një force ndërkombëtare për të vënë rregull në gjendjen anarkike aktuale. Gjithashtu, ajo kërkoi vendosjen e sanksioneve kundër rebelëve, akuzuar për dhunime të rënda të të drejtave të njeriut.








All the contents on this site are copyrighted ©.