2013-05-26 16:31:13

Papa në Engjëllin e Tënzot: mafiozët e mafiozet të kthehen në rrugën e Zotit; nuk mund t’i përdorin si skllevër gratë e fëmijët!


“Mafiozët e mafiozet të kthehen në rrugën e Zotit!”. Për këtë u lut sot Papa Françesku në Engjëllin e Tënzot, i miratuar nga duatrokitjet e stuhishme të besimtarëve, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit. Duke kujtuar Lumnimin e Don Puljisit, Papa dënoi me forcë shfrytëzimin e miliona viktimave nga ana e mafieve të ndryshme.

Nuk ngrihej nga Lugina e Tempujve të Agrixhentos, por nga dritarja mbi Sheshin e Shën Pjetrit, zëri i Papës, që u kujtoi menjëherë besimtarëve një zë tjetër, lartuar 20 vjet më parë me forcë, duke shqiptuar fjalë historike. Zërin e Papës Gjon Pali II, në vitin 1993. Historike edhe fjalët e Papës Françesku, që dënoi me forcë të gjitha mjediset, ku krimi bëhet zot i jetës, duke përdorur të gjitha format e mundshme të shfrytëzimit e të dhunës:
“Mendoj për dhimbjen e thellë të burrave e të grave, por edhe të fëmijëve, të shfrytëzuar nga mafiet e shumta, që i përdorin për qëllimet tyre, duke i detyruar, me një mori presionesh shoqërore, të kthehen në skllevër, të merren me prostitucion. Pas këtij shfrytëzimi, pas kësaj skllavërie, janë mafiet. Ta lusim Zotin, që këta njerëz të pendohen, të kthehen në rrugën e Tij. Nuk mund të vijojnë kështu! Nuk mund të na bëjnë ne, vëllezërit, skllevër! Duhet ta lusim Zotin! Të lutemi, që këta mafiozë e këto mafioze të kthehen në rrugën e Zotit”.
Ishte kujtimi i don Pino Puljisit, lumnuar dje në atë Palermo, ku qe vrarë më 15 shtator, 20 vjet më parë, nga dora e mafies, që e nxiti Papën të bëjë këtë denocim të fuqishëm. Jeta dhe vdekja e këtij njeriu, pohoi me forcë Ati i Shenjtë, vijojnë të tingëllojnë si qortim i ashpër për ata, që patën menduar ta zhduknin. Duke besuar se bashkë me të, do të çrrënjosnin edhe bimën, mbirë nga fara e mirë e hedhur nga i Lumi:
“Don Puljisi ishte meshtar shembullor, që iu kushtua posaçërisht punës baritore me rininë. Duke i edukuar të rinjtë sipas Ungjillit, i shkëpuste nga rruga e keqe, e pikërisht kjo i shtyu zotërinjtë mafiozë ta vrisnin, duke menduar se kështu do ta zhduknin, do ta mundnin. Por ai nuk u mund. Ai fitoi me Krishtin e Ngjallur”.
Duartrokijet e turmës, vigane dhe sot në mesditë, u bënë jehonë fjalëve të Papës që, në Solemnitetin e sotëm të Trinisë Shenjte, i nxiti besimtarët për reflektime shpirtërore, duke u folur për Trininë, ashtu siç kishte bërë pak më parë me fëmijët e një famullie romake. E duke pohuar se ky mister ka kuptim konkret, jo të vagëlluar, Papa Françesku përdori një shprehje, e cila tashmë është bërë e njohur nga të gjithë:
“Zoti ynë nuk është Zot spray, është konkret, nuk është abstrakt. Zoti është dashuri! Nuk është dashuri sentimentale, emotive, por dashuri e Atit, që është në zanafillë të çdo jete; dashuri e Birit, që vdes mbi kryq e ngjallet; dashuri e Shpirtit Shenjt, që rinon njeriun e botën. Të mendojmë se Hyji është dashuri, na bën mirë, sepse na mëson të duam, t’ua dhurojmë veten të tjerëve, si Jezusi , që na u dhurua ne e ecën me ne”.
E për ta fuqizuar konceptin e një dashurie, që nuk u lartua kurrë tepër lart, përmbi fatet e njerëzimit, por përkundrazi, u lidh ngushtë me ngjarjet e historisë së çdo epoke, Papa Françesku vijoi:
E Shenjtnueshmja Trini nuk është prodhim i arsyetimeve njerëzore; është fytyra me të cilën vetë Zoti na u dëftua, jo nga maja e një katedre, por duke ecur përkrah njerëzimit. Zoti eci me popullin e tij, në historinë e popullit të Izraelit, e Jezusi eci gjithnjë me ne e na premtoi Shpirtin Shenjt. E Shpirti i Zotit është zjarr, na mëson gjithçka, që nuk e dimë; na prin, na jep mendimet e mira e frymëzimet e mira”.
Mendimi i fundit, për Marinë, për Atë, pohoi Papa Françesku, që për virtyt të Krishtit, sot është në lumninë e Trinisë e, në të njëjtën kohë, mbetet Nënë, gjithnjë pranë bijve të saj, pranë nesh:
Është Nëna e shpresës, Nënë që na ngushëllon, Nënë e ngushëllimit e Nënë, që na shoqëron në gjithë udhën e jetës sonë. Ta lusim, prandaj, Zojën e Bekuar të gjithë së bashku, ta lusim Nënën, që na shoqëron në udhën e jetës sonë”.
Në përfundim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, pasi ia besoi ndërmjetësimit të të Lumit Puljisi e të Shën Filip Nerit, edukatorit tjetër të madh të të rinjve, që Kisha e kremton më 26 maj – punën e Shoqatës Kombëtare Shën Pali të Oratoreve e Rretheve Rinore”, Papa Françesku i kushtoi vëmendje të veçantë njërit nga grupet e shumta, në Sheshin e Shën Pjetrit:
“Përshëndes grupin e katolikëve kinezë, të pranishëm, të cilët erdhën në Romë që të luten për Kishën në Kinë, duke kërkuar ndërmjetësimin e Zojës Ndihmëtare”.







All the contents on this site are copyrighted ©.