2013-05-26 16:44:26

Papa Françesku i kundërvë idhullit të fitimit, nënshtetësinë e solidaritetit.


Sistemi ekonomik e financiar duhet rimenduar me frymë solidare, sepse kriza e sotme ka nevojë për një vizion më etik të marrëdhënieve ndërmjet njerëzve. E pohoi Papa në audiencën me pjesëmarrësit në takimin e organizuar nga Fondacioni Centesimus Annus Pro Pontefice, këto ditë, në Romë. Papa u ndalua fort tek tema e papunësisë dhe pohoi me forcë se pamundësia për të fituar bukën e përditshme, është varfëria më e keqe materiale, mbasi i mungon dinjiteti i punës.
Nga kriza ekonomike nuk mund të shpëtojë askush e masat, në rritje, të njerëzve që kanë humbur punën, sidomos në Perëndim, janë një nga treguesit më të dhimbshëm të kësaj situate. Duhet rimenduar i tërë sistemi; e pengesa kryesore për ta kapërcyer këtë situatë, që ka gjithnjë më shumë pamjen e një urgjence shoqërore, është aradhja e shërbëtorëve të fitimit, të cilët nuk mund ta dëgjojnë fjalën solidaritet e, kur e dëgjojnë, përdredhin buzët. Papa Françesku e lexoi, plot mprehtësi, skenarin e planetit, duke nisur nga njeriu, që jeton sot dramën e varfërisë, me ngjyrimet e mjerimit, njeriu që është i lidhur pas kafshatës së përditshme:
“Është një fenomen, ky i papunësisë – i mungesës dhe i humbjes së punës – që po përhapet me shpejtësinë e njollës së vajit në zona të tëra të Perëndimit, duke i zgjeruar shqetësueshëm kufijtë e varfërisë. E nuk ka varfëri më të tmerrshme materiale, e nënvizoj këtë, sesa ajo, që nuk të krijon kushte për ta fituar bukën e përditshme, që të lë pa dinjitetin e punës”.
Pohimet e Papës u ndoqën nga specialistët, që këto ditë janë në Romë për të marrë pjesë në takimin ndërkombëtar të Fondacionit Centesimus Annus pro Pontefice, organizëm i themeluar 20 vjet më parë nga Gjon Pali II, kushtuar përhapjes së mësimeve shoqërore të Kishës. Problemi më i mprehtë, rreth të cilit u fol sivjet në takim, ishte ai i nevojës për ta rimenduar solidaritetin. Papa Françesku shpjegoi me ç’sy duhet parë solidariteti, në rrethanat ekonomiko-shoqërore të ditëve tona:
“Jo më si ndihmë e thjeshtë për më të varfërit, por si rishikim global i gjithë sistemit, si kërkim i udhëve për ta reformuar e për ta korrigjuar, në përkim të plotë me të drejtat themelore të njeriut, të të gjithë njerëzve. E fjalës ‘solidaritet’, e cila nuk shihet me sy të mirë nga bota ekonomike, si të ishte ndonjë fjalë e keqe, i duhet dhënë përsëri qytetaria shoqërore. Solidariteti nuk është një shprehje më shumë, nuk është lëmoshë shoqërore, është vlerë shoqërore, që kërkon nënshtetësinë e vet”.
Si Veriu, ashtu edhe Jugu i botës, vërejti Papa Françesku, e kanë kuptuar tashmë se diçka nuk funksionon. E, duke kujtuar situatën aktuale, Ati i Shenjtë pohoi me forcë se kriza e sotme nuk është vetëm ekonomike e financiare, por edhe, e sidomos, etike e antropologjike. Këtu duhen kërkuar sot rrënjët e krizës:
“Të rendësh pas idhujve të pushtetit, të fitimit, të parasë, pa pyetur fare për vlerën e njeriut, është bërë ligj themelor i funksionimit dhe kriter vendimtar i organizimit. Është harruar fare e vijon të harrohet se përmbi marrëdhëniet tregtare, mbi logjikën dhe treguesit e tregut, është njeriu, është një e drejtë, që duhet t’ia njohësh njeriut, si njeri, në sajë të dinjitetit të tij të thellë: njeriut i duhet dhënë mundësia të jetojë me dinjitet e të marrë pjesë aktivisht në punën për të mirën e përbashkët”.
Duke e falënderuar Fondacionin Centesimus Annus, Papa u tregoi edhe specialistëve të mësimeve shoqërore të Kishës, se kanë nevojë për reflektim të ri, edhe në studimet e tyre:
“Para së gjithash duhet ta lidhin ngushtë mësimin e Kishës me evolucionin shoqëroro-ekonomik i cili, duke qenë i vazhdueshëm dhe i shpejtë, paraqet aspekte përherë të reja: së dyti, ‘të rimendosh’, do të thotë të thellosh, të reflektosh përsëri, për të kuptuar gjithë fekonditetin e një vlere – solidaritetit, në këtë rast – që në thellësi buron nga Ungjilli, domethënë nga Jezu Krishti, e si i tillë, përmban fuqi të pashterrshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.