2013-05-24 13:56:30

Papa Françesku: t’i mbartim me durim vështirësitë e të fitojmë me dashuri mbi shtypjen.


“O Zot, na ndihmo t’i mbartim me durim vështirësitë e të fitojmë me dashuri mbi shtypjet e brendshme e të jashtme”: këtë lutje lartoi sot Papa Bergolio gjatë Meshës, kremtuar në Kapelën e Shën Martës, ditën kur kremtohet festa e Zojës Ndihmëtare.
Në homeli, Papa Françesku kërkoi dy hire: “Mbartjen me durim e fitoren me dashuri”. Hire tipike, këto, për të krishterin. T’i mbartësh me durim padrejtësitë, vërejti, nuk është aspak e lehtë. Nuk është e lehtë, kur vështirësitë vijnë nga jashtë, e as kur problemet krijohen në zemër, në shpirt; janë probleme të brendshme. Por, t’i durosh vështirësitë, shpjegoi Papa, nuk do të thotë t’i mbash, i thyer më dysh, mbi shpinë:
“Të mbartësh, do të thotë ta marrësh vështirësinë e ta çosh lart, që vështirësia të mos të të mposhtë. Ta mbartësh me forcë: ky është virtyt i krishterë. Shën Pali flet shumë për të. T’i durosh! Kjo do të thotë të mos mposhtesh nga vështirësitë. E kjo do të thotë edhe se i krishteri ka forcë për të mos i ulur krahët, por për t’i mbajtur lart. Të durosh, por me krahë lart. Gjë që nuk është e lehtë, sepse të lëshon zemra. Atëherë krahët këputen e janë gati të bien pa forcë, në sa ti thua me vete: ‘Bah, po bëjmë atë që mundemi e asgjë më shumë; s’është në dorë tonë’. Pak a shumë kështu ke dëshirë të thuash. Po jo! Të durosh është hir. Duhet ta kërkojmë, në të vështira”.
Hiri tjetër, që lypi Papa, është fitorja me dashuri:
Mund të fitosh duke ecur në rrugë nga më të ndryshmet, po hiri, që lypim ne sot, është ai i fitores me dashuri, përmes dashurisë. E kjo nuk është aspak e lehtë. Kur kemi armiq jashtë, që na bëjnë të vuajmë shumë, t’i mundësh me dashuri nuk është e lehtë.... Na vlon dëshira të marrim hak, t’i përgjigjemi së keqes me të keqe, jo me dashuri, me butësinë, që na e mësoi vetë Jezusi. E kjo është fitorja! Shën Gjoni Apostull, në Letrën e tij të parë, na kujton: ‘Kjo është fitorja jonë: feja jonë’. Feja jonë do të thotë të besosh në Jezu Krishtin, që na mësoi dashurinë e na mësoi t’i duam të gjithë. E prova, që tregon se edhe ne jemi në dashuri, është lutja për armiqtë tanë”.
Të lutemi për armiqtë, për ata që na bëjnë të vuajmë, vijoi Papa, nuk është e lehtë. Por do të ishim të krishterë betejëhumbur, në se nuk do t’i i falnim armiqtë e nuk do të luteshim për ta. E sa të krishterë të trishtuar, që i ka lëshuar fare zemra, takojmë në rrugët e jetës, vijoi Papa, sepse nuk e kanë pasur këtë hir, hirin të mbartin me durim e të ngadhënjejnë me dashuri:
“Prandaj t’i lutemi Marisë të na e nxjerrë hirin për të mbartur me durim e për të fituar me dashuri. Sa njerëz, shumë prej të cilëve pleq e plaka, e kanë bërë këtë rrugë! E ç’kënaqësi është t’i shikosh: në sy kanë dritë, në fytyrë, lumturinë e njeriut, që e ka zemrën të qetë. Nuk flasin shumë, po kanë zemër durimtare, përplot me dashuri. E dinë ç’do të thotë t’i falësh armiqtë, dinë ç’do të thotë të lutesh për kundërshtarët. Shumë të krishterë janë kështu”.
Në Meshë ishin të pranishëm punonjës të Këshillit Papnor të Komunikimeve Shoqërore, kryesuar nga kryetari i dikasterit, imzot Klaudio Maria Çeli. Në rit morën pjesë edhe imzot Savio Hon Tai-Fa, sekretar i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve si dhe një grup meshtarësh, rregulltarësh, seminaristësh e shekullarësh kinezë. Lutja e besimtarëve përfundoi me lutjen e Papës për popullin kinez, që Zoti ta bekojë e Zoja ta ruajë”.Në fund u këndua një këngë, kushtuar Zojës, në gjuhën kineze.







All the contents on this site are copyrighted ©.