2013-05-24 15:05:37

Në Jordani, procesion lutjeje për ipeshkvijtë sirianë të rrëmbyer


Mëse 2 mijë vetë morën pjesë të martën e kaluar në Aman të Jordanisë, në lutjen për lirimin e ipeshkvijve e të meshtarëve, marrë peng në Siri. Besimtarët i kërkuan Zotit paqen për krejt Lindjen e Mesme. Procesioni, njofton agjencia katolike Fides, u nis nga katedralja greko-ortodokse e Paraqitjes së Jezusit në Tempull, për të vazhduar nëpër rrugët e qytetit, duke kaluar pranë kishës katolike të Shën Marisë së Nazaretit, deri në kishën siro-ortodokse të shën Efraimit. Të gjithë më qirinj në duar, udhëhiqeshin nga krerët e përfaqësuesit e të gjitha Kishave dhe bashkësive kishtare të krishtera të Jordanisë. Në deklaratën e nënshkruar nga të gjithë liderët e krishterë, e cila u lexua në fund të procesionit, dënohen rrëmbimet, sidomos ai i dy ipeshkvijve (mitropoliti siro-ortodoks dhe ai greko-ortodoks), “dy ndër personalitetet më të rëndësishme arabo-kristiane të kohës sonë”. Në thirrje kërkohet “respektimi i Vendeve të Shenjta në Palestinë, veçanërisht në Jeruzalemin Lindor”. Të krishterët i luten Zotit ta bekojë Mbretërinë Hashemite të Jordanisë që të ruajë qëndrueshmërinë, sigurinë dhe bashkimin kombëtar, pa rënë në konfliktet, të cilat po i bëjnë të vuajnë popujt fqinjë.







All the contents on this site are copyrighted ©.