2013-05-23 12:52:15

Papa Françesku: pa kripën e Jezu Krishtit jemi të pa shije, bëhemi të krishterë për muze


Të krishterët le ta përhapin kripën e fesë, të shpresës e të dashurisë: kjo është porosia e Papës Françeskut gjatë homelisë së Meshës kremtuar sot në mëngjes në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Papa Bergoglio theksoi se origjinaliteti i krishterë “nuk është uniformitet”, pra nuk është të qenurit njësoj të gjithë por të qenurit sipas shumëllojshmërisë së tipareve e të dhuratave që Zoti na i ka falur për të mirën e mbarë njerëzimit. Prandaj tha Ati i Shenjtë Françesku, duke iu referuar simbolit ungjillor të ‘kripës’, duhet të ruhemi nga rreziku i humbjes së shijes, që mos të bëhemi “të krishterë për muze”, të krishterë të pa shije. Në Meshën e sotme, bashkë me Papën bashkëkremtuan kardinajtë Angelo Sodano e Leonardo Sandri dhe kryeipeshkvi i La Paz, imzot Edmundo Abastoflor Montero, shoqëruar nga një grup meshtarësh e bashkëpunëtorësh laikë të Kongregatës së Vatikanit për Kishat Lindore.
Çka është kripa në jetën e një besimtari të krishterë, çfarë kripe na ka dhuruar Jezusi? Në homelinë e tij, Papa Françesku u ndal tek shija që të krishterët janë të thirrur t’i japin jetës së tyre personale e jetës së njerëzve tjerë që takojnë. Kripa që na jep Jezu Krishti Zot, vërejti Ati i Shenjtë Bergoglio, është kripë e fesë, e shpresës dhe e dashurisë bamirëse. Por, kujtoi ai, duhet të jemi të vëmendshëm që kjo kripë, që na është dhënë nga siguria se Jezusi ka vdekur e është ngjallur për shpëtimin tonë, “të mos bëhet e pa shije, të mos e humbë forcën e vet”. Kjo kripë, vijoi Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit të sotëm, “nuk na është dhuruar për t’u ruajtur, sepse nëse kripa ruhet në një shishe nuk vyen asgjë, nuk shërben për asgjë”:
Kripa ka kuptim atëherë ku shpërndahet për t’u dhënë shije gjërave. Mendoj se sikur edhe të ruhej kripe në shishe, me lagështi, ajo e humbë forcën e nuk vyen më asgjë. Kripa që ne kemi marrë është për t’ia dhuruar të tjerëve, është për t’i bërë gjellët të shijshme, është për t’ia ofruar të tjerëve. Në të kundërtën kripa bëhet e pa shijshme e nuk vyen asgjë. Prandaj duhet t’i kërkojmë Zotit të na ndihmojë që të mos bëhemi të krishterë me kripë të pa shijshme, me kripë të mbyllur në shishe. Pastaj duhet thënë se kripa ka edhe një karakteristikë tjetër: kur kripa përdorët siç duhet, pra mirë, në ushqime nuk ndjehet shija e kripës...nuk hetohet kripa! Ndjehet shija e çdo gjelle: kripa ndihmon që shija e gjellës të jetë sa më e mirë, të ruhet më mirë e më gjatë por edhe të jetë sa më e mirë, sa më e shijshme. Ky është origjinaliteti i krishterë!”.
E në vazhdim të homelisë Papa Bergoglio shtoi se “ kur ne kumtojmë fenë, me këtë kripë”, ata që “e pranojnë kumtimin, e marrin sipas tipareve të veçanta që kanë, siç ndodh me ushqime”. E kështu “çdonjëri me tiparet e veçanta që ka e merr kripën dhe bëhet më i mirë”:
Origjinaliteti i krishterë nuk është uniformitet”! Krishterimi e trajton çdonjërin ashtu siç është, me personalitetin e tij, me tiparet e tij, me kulturën e tij dhe e le me atë që është, sepse është pasuri. Por krishterimi i jep njeriu diçka më shumë: i jep shije! Pra ky origjinalitet i krishterimit është aq i bukur, sa që kur ne duam t’i krijojmë një unformitet – që të gjithë të jenë të kripur në njëjtën mënyrë – gjërat bëhen sikur kur ndodh kur gruaja hedhë shumë kripë në atë që gatuan dhe në ushqim ndjehet vetëm shija e kripës e nuk ndjehet më shija e gjellës. Origjinaliteti i krishterë është pikërisht ky: çdonjëri është ashtu siç është, me dhuratat që Zoti i ka falur, ai nuk tjetërsohet por shndërrohet”.
Kjo, vijoi Papa Françesku, “është kripa që duhet të japim”. Një kripë e cila “nuk është për t’u ruajtur, por është për t’u dhuruar”. E kjo, tha Ati i Shenjtë, “do të thotë trashendencë”: “të dalësh e të ecësh me këtë mesazh, të përshkosh udhët e jetës me këtë pasuri që ne kemi e që është kripa e dhuruar e atë t’ua japim të tjerëve.
Po në anën tjetër, nënvizoi Papa, kemi dy “dalje” në mënyrë që kjo kripë të mos prishet. E para: të japim kripën “që shërben për ushqime, në shërbim të tjerëve, në shërbim të njerëzve”. E dyta: “trashendenca ndaj autorit të kripës, krijuesit”. Kripa, ripohoi Papa, “nuk ruhet për t’u përdorur vetëm gjatë predikimit” të Lajmit të Mirë, por “edhe si nevojë e trashendencës tjetër, asaj të lutjes, të adhurimit”.
E kështu kripa ruhet, çmohet, nuk e humbë shijen e vet. Me adhurimin e Zotit unë kaloj përtej vetvetes time dhe shkoj te Zoti, e me kumtimin ungjillor unë dal jashtë vetvetes time për të transmetuar mesazhin e Zotit. Por nëse ne nuk e bëjmë këtë – këto dy trashendenca të dhurimit të kripës – kripa do të mbetët në shishe e ne bëhemi të krishterë për muze. Mund ta shohim kripën e të themi: kjo është kripa ime. Mirëpo çfarë bukurie është! Kjo është kripa që kam marr në Pagëzim, kjo është ajo që kam marr në Krezmim, kjo është ajo që kam marr në katekizëm...Po shikoni: të krishterë për muze! Një kripë pa shije, një kripë që nuk bënë asgjë, një kripë që nuk vlen asgjë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.