Sot pasdite, në orën 18, Papa Françesku kryeson në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan,
Besojmën e Fesë së bashku me ipeshkvijtë italianë, të mbledhur për Asamblenë e tyre
të 65-të të Përgjithshme. Pas Liturgjisë së Fjalës, Ati i Shenjtë meditoi mbi detyrën
e ipeshkvit në Kishën Katolike, për t’ia lënë vendin Besojmës e Lutjes drejtuar Zojës
së Bekuar. Në fund, të gjithë kënduan himnin e Mbretëreshës Qiellore, ndërsa Papa
Bergolio vendosi lule pranë figures së Virgjërës Shenjte. Sonte, u tha Ati i Shenjtë
ipeshkvijve gjatë meditimit, elteri i Rrëfimit i Bazilikës bëhet liqeni ynë i Tiberiadës,
në brigjet e të cilit Jezusi pyet Shën Pjetrin: “A më do? A je miku im?”. Pyetja i
drejtohet secilit prej nesh e na nxit të shohim brenda vetes, vërejti Papa. Hyji,
që sheh deri në thellësi të zemrës së secilit, lyp prej nesh dashurinë e na vë përballë
çështjes më thelbësore, premisë e kusht për të kullotur grigjën e Tij, qingjat e tij,
Kishën. Ne, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke iu drejtuar ipeshkvijve, nuk jemi shprehje
e ndonjë strukture, apo e ndonjë nevoje organizative, jemi shenjë e dashurisë dhe
e pranisë së Zotit. Papa Françesku citoi Shën Palin Apostull, i cili u kërkon
atyre, që kanë detyra në Kishë, të vigjëlojnë mbi grigjën e mbi vetveten. “Mungesa
e vigjëlimit – e dimë – e bën të vakët Bariun – theksoi Ati i Shenjtë – ia merr mendjen,
harron e madje edhe e bën të vuajë, e tundon me prespektivën e karrierës, e josh me
para dhe kompromise me frymën e botës, e dembelos, e shndërron në funksionar, në një
klerik të shqetësuar më tepër për vetveten, për organizimin e për strukturat, se sa
për të mirën e vërtetë të Popullit të Zotit”. Në këto raste, ka rrezik të
bëjmë si Shën Pjetri apostull e ta mohojmë Zotin, vërejti Papa Bergolio, megjithëse
formalisht, paraqitemi në emër të Tij. “Kush jemi o vëllezër para Zotit? – pyeti Papa
ipeshkvijtë. Cilat janë sprovat tona? Çfarë po na thotë Hyji përmes tyre? Ku mbështetemi
për t’i kapërcyer?”. “Të jesh Bari – nënvizoi Ati i Shenjtë – do të thotë
të besosh çdo ditë në hirin e në forcën që na vjen nga Zoti, pavarësisht nga brishtësia
jonë, e të marrësh përsipër deri në fund përgjegjësinë për të ecur ‘para’ grigjës,
i lehtësuar nga peshat, që e pengojnë zellin e shëndoshë apostolik, pa mëdyshje në
udhëheqje, në mënyrë që zëri ynë të njihet si nga ata, që e kanë përqafuar fenë, ashtu
edhe nga ata, që “nuk janë akoma të kësaj vathe” (Gjn 10,16): jemi të thirrur ta bëjmë
tonën ëndrrën e Zotit, nga shtëpia e të cilit nuk përjashtohen as njerëzit as popujt,
siç thoshte profetikisht Isaia”. Kjo do të thotë, vazhdoi Papa Françesku,
se Barinjtë e Kishës duhet të ecin jo vetëm përpara, por edhe në mes e prapa grigjës,
të dëgjojnë ata që vuajnë e të shoqërojnë ata, që mendojnë se nuk ia dalin dot, t’i
ngrenë e t’u japin shpresë. Ndër të gjithë këta, këshilloi Ati i Shenjtë, një vend
të veçantë duhet të zënë meshtarët, për të cilët duhet të mbetet hapur zemra, dora
e porta e çdo ipeshkvi.