2013-05-22 15:30:10

Raporti vjetor i AIF-it: theksohet impenjimi i Selisë së Shenjtë për transparencën financiare


U paraqit sot në Sallën e Shtypit të Vatikanit, raporti i parë vjetor i AIF-it, Autoritetit të Informacionit Financiar, themeluar nga Benedikti XVI në vitin 2010 e kryesuar nga kardinali Atilio Nikorà. Në dokument përshkruhen etapat kryesore të veprimtarisë së organizmit dhe funksionet e tij, duke nënvizuar sfidat për të ardhmen në parandalimin dhe në luftën kundër riciklimit të parave.
Drejtori i organizmit të Selisë së Shenjtë, René Brylhart kujtoi hapat e dy vjetëve të fundit për integrimin e shtetit të Vatikanit në sistemin juridik ndërkombëtar të luftës kundër riciklimit të parave e financimit të terrorizmit. Hapi më i rëndësishëm është pa dyshim, miratimi i veprimtarisë së Selisë së Shenjtë nga ana e Komitetit “Moneyval” të Këshillit të Evropës, korrikun e kaluar.
Funksionet e AIF-it kanë të bëjnë me dy fusha kryesore: informacioni financiar dhe vigjëlimi, përmes inspektimeve dhe sanksioneve administrative. Në thelb, në këtë organizëm mbërrijnë sinjalizime për transaksione të dyshimta, të cilat analizohen më pas nga Promotori i Drejtësisë. Nëse ka probleme riciklimi parash, AIF-i mund të ndalojë zhvendosjen e të hollave nga llogaria bankare për një periudhë prej pesë ditësh pune. Gjithashtu, organizmi vatikanas kontrollon çdo lloj transportimi të hollash e transferimi fondesh në hyrje, apo në dalje.
Sipas statistikave, në vitin 2012, janë sinjalizuar gjashtë veprime të dyshimta, ndërsa në vitin 2011, vetëm një. Po gjatë vitit 2012, Vatikani ka kërkuar një herë sqarime për operacione bankare ndërkombëtare, ndërsa nga jashtë i kanë ardhur tri kërkesa për informacion. Përsa i përket transportit ndërkufitar të të hollave, që duhet deklaruar fiskalisht kur shuma arrin në 10 mijë euro, raporti i AIF-it vë në dukje se gjatë vitit 2012 ka pasur 598 deklarata për hyrjen e të hollave në Vatikan e 1782 për daljen e tyre nga IOR-i (Instituti i Veprave Fetare).








All the contents on this site are copyrighted ©.