2013-05-22 12:58:33

Muzika e kësaj Shtëpie është dashuria: kështu Papa Françesku gjatë vizitës në Shtëpinë e motrave të Nënë Terezës


Me shërbimin tuaj të përditshëm, ju jeni dora e Zotit, që shuan urinë e çdo të gjalli. Me këto fjalë, Papa Françesku u foli motrave të Nënë Terezës, gjatë vizitës së pasdites së djeshme në Shtëpinë “Dhurata e Marisë” në Vatikan. Struktura strehon 25 gra dhe u jep për të ngrënë rreth 60 burrave. Ati i Shenjtë u takua me mëse 100 vetë, ku bënin pjesë jo vetëm motrat “Misionare të Bamirësisë”, por edhe të varfërit e vullnetarët. Rasti qe 25 vjetori i dhënies së kësaj shtëpie së Lumes shqiptare nga i Lumi Gjon Pali II.
“Ju, të dashura motra, së bashku me misionarët e bamirësisë dhe me bashkëpunëtorët, e bëni të dukshme dashurinë e Kishës për të varfërit”.
Papa i falenderoi me gjithë zemër murgeshat e vullnetarët, që për vite me radhë janë përkulur mbi nevojtarët, si Samaritani i Mirë. “Sa plagë, sidomos shpirtërore, keni mjekuar!” u tha plot mirënjohje Ati i Shenjtë.
Në atmosferën festive, mbushur me këngë e muzikë, motrat i vunë Papës një kurorë lulesh në qafë, sipas zakonit indian. E Ati i Shenjtë, siç bën zakonisht, i përshëndeti të gjithë, një nga një. E quajti shtëpinë e motrave të Nënë Terezës, rezultat të bashkëpunimit ndërmjet të Lumëve. Shenjtëria ka kaluar këndej, tha. E si gjithmonë, zgjodhi tri fjalë për reflektimin e tij: shtëpia, dhurata e Maria. Shtëpia është vend mikpritjeje, vend i dashurisë e përfaqëson pasurinë më të çmuar njerëzore, atë të takimit ndërmjet njerëzve të ndryshëm, që ndihmojnë njëri-tjetrin. Shtëpia pra, nënvizoi Papa Françesku, është vendi kryesor, ku njeriu mëson të marrë e të japë dashuri e, kështu është edhe shtëpia “Dhurata e Marisë” që prej 25 vjetësh:
“Në kufirin ndërmjet Vatikanit e Italisë, ajo është thirrje e fuqishme që na drejtohet të gjithëve, Kishës, qytetit të Romës, që të jemi gjithnjë e më shumë familje, ‘shtëpi’ me dyer të hapura për mikpritjen, kujdesin, vëllazërinë”.
Këtu, u tha Papa motrave të Nënë Terezës, u dhurohet njerëzve përkrahja materiale e shpirtërore, por edhe ju vetë jeni dhuratë për këtë shtëpi e për Kishën:
“Ju na thoni se të duash Zotin e të afërmin nuk është aspak abstrakte, por thellësisht konkrete: do të thotë të shohësh në çdo njeri fytyrën e Zotit e t’i shërbesh konkretisht. E ju, të dashur vëllezër e motra, jeni fytyra e Jezusit. Faleminderit! Ju ‘u dhuroni’ atyre që punojnë në këtë vend, mundësinë për t’i shërbyer Jezusit në njerëzit që vuajnë, në ata, që kanë nevojë për ndihmë”.
Në shtëpinë “Dhurata e Marisë” u shërbehet të gjithëve pa dallim kombësie, apo feje. Në kundërshtim me kapitalizmin e shfrenuar, që u mëson njerëzve logjikën e fitimit me çdo kusht e atë të shfrytëzimit, nënvizoi Ati i Shenjtë, të gjithë duhet t’i bëjmë sërish tonët, solidaritetin e dhurimin:
“Kjo Shtëpi është vend që edukon me dashuri, ‘shkollë’ bamirësie, që na mëson të ndihmojmë çdo njeri, jo për përfitime, por për hir të dashurisë. Muzika e kësaj Shtëpie – të themi kështu – është dashuria”.
Papa Françesku vlerësoi faktin se seminaristë nga e gjithë bota shkojnë tek motrat e Nënë Terezës, për një periudhë shërbimi. Emri i Marisë, e cila ia dhuroi Zotit krejt jetën e vet, është nxitje për ta kuptuar bamirësinë jo si një lloj detyre shoqërore, por si pasojë e dashurisë së Zotit. Ati i Shenjtë, duke cituar fjalët e mëparshme të Eprores së Përgjithshme të Misionareve të Bamirësisë, motër Maria Prema Pierik, kujtoi se është pikërisht Maria ajo, që na mëson si të shkojmë drejt Jezusit:
“Për ne të krishterët, dashuria për të afërmin lind nga dashuria e Zotit e është shprehja e saj më e kristaltë. Këtu, përpiqeni ta doni tjetrin, por edhe ta lejoni atë t’ju dojë”.
Këto dy qëndrime ecin bashkërisht, tha së fundi Papa Françesku, duke kujtuar fjalët, që Misionaret e Bamirësisë shkruajnë në krye të çdo letre zyrtare, fjalët e Jezusit: “Gjithçka bëni për njërin ndër këta vëllezërit e mi më të vegjël, e bëni për mua”.







All the contents on this site are copyrighted ©.