2013-05-21 15:38:16

Plenaria e emigrantëve. Kardinali Veliò: Papa, i shqetësuar për krizën në Siri


Hapet nesër në Romë, Asambleja e 20-të e Përgjithshme e Këshillit Papnor për Baritorinë e Emigrantëve dhe të Endacakëve, e cila ka si temë: “Shqetësimi baritor i Kishës në kontekstin e emigracionit të detyruar”. Mbledhja do të vazhdojë deri të premten e do të analizojë fenomenin e refugjatëve e të njerëzve, që janë të detyruar të largohen nga vendi i tyre, për shkak të dhunimit të të drejtave të njeriut. Për arsyet, që e shtynë Këshillin Papnor të zgjedhë këtë temë, intervistuam kreun e dikasterit vatikanas për emigrantët, kardinalin Antonio Maria Veliò:
Në këtë çast, na shqetëson veçanërisht ç’po ndodh në Siri. Më foli për këtë vetë Ati i Shenjtë, Françesku, duke më shprehur ankthin e tij. Çdo ditë, mijëra e mijëra vetë ikin nga vendi. Aktualisht, mëse 1 milion e 400 mijë refugjatë janë strehuar në vendet fqinje, sidomos në Liban e Jordani, ndërsa programet e ndihmës për ta financohen vetëm pjesërisht nga bashkësia ndërkombëtare. Vuajtja është e jashtëzakonshme. Përveç njerëzve që kapërcejnë kufirin, miliona janë të shpërngulurit brenda Sirisë. Dhashtë Zoti të dëgjohet lutja jonë, që në këtë rajon të kthehet më në fund paqja! Nga ana tjetër, duhet vënë në dukje se në të gjithë botën, njerëzit-viktima të trafikut janë rreth 21 milion. Pra, çdo njëmijë vetë, tre janë viktima të këtij krimi të urryer. Plagë tjetër e dhimbshme është ajo e marrjes së fëmijëve për ushtarë në konfliktet e armatosura. Të mos harrojmë se trafiku i qenieve njerëzore i bën të jashtëligjshëm e skllavëron një numër të pallogaritshëm burrash, grash e fëmijësh.
Gjatë asamblesë do të studioni dokumentin “Të mirëpresësh Krishtin në refugjatët e në njerëzit e detyruar të emigrojnë”. A mund të na flisni për pikat kryesore të këtij teksti?
Është një udhërrëfyes baritor, që e ka zanafillën në një premisë themelore: çdo politikë duhet të frymëzohet nga parimi i dinjitetit të njeriut e duhet ta vendosë atë në qendër. Pikërisht ky parim bën që ndihma e dhënë nga institucionet e Bashkësisë Ndërkombëtare, nga shtetet e nga organizmat kishtare të mos konsiderohet “lëmoshë”, por një akt i detyrueshëm drejtësie nga njëra anë dhe, një dëshmi e vërtetë mëshire e dashurie, nga ana tjetër. Në këtë kuadër, Kisha e ndjen për detyrë të ngulë këmbë në vlerat dhe në dinjitetin njerëzor, sidomos përmes promovimit të kulturës së takimit e të respektit, që i shëron plagët dhe hap horizonte të reja integrimi, sigurie e paqeje. Sfida jonë është të krijojmë zona tolerance, shprese, shërimi, mbrojtjeje. Kjo përkon edhe me thirrjen e Papës Françesku për të shkuar “në periferi”, aty ku ka vuajtje, ku derdhet gjak, ku ka të verbër që duan të shohin, ku ka të burgosur nga pronarë të këqinj.








All the contents on this site are copyrighted ©.