2013-05-21 12:08:13

Papa: në Kishë, e vetmja rrugë për të përparuar është shërbimi e jo pushteti


Për të krishterët, të përparosh do të thotë të përulesh, siç bëri Jezusi. Kështu tha sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Të pranishëm, disa punonjës të Radio Vatikanit, ndërmjet të cilit edhe ne, të programit në gjuhën shqipe.
Jezusi u flet dishepujve për Mundimet që e presin, ndërsa ata janë të zënë me diskutime se kush është më i madh ndër ta. Episodi i hidhur, që tregohet në Ungjillin e sotëm, i dha Papës shkas për të reflektuar mbi pushtetin e shërbimin. “Lufta për pushtet në Kishë – vërejti – nuk është e këtyre ditëve… filloi pikërisht në kohën e Jezusit”. Por, Ungjilli i Jezusit nënvizon se lufta për pushtet në Kishë nuk duhet të ekzistojë, pasi pushteti i vërtetë, ai që Zoti vetë na ka mësuar me shembullin e tij, është “pushteti i shërbimit”:
“Pushteti i vërtetë është shërbimi. Ashtu siç bëri Ai, që erdhi jo për t’u shërbyer, por për të shërbyer, e shërbimi i Tij ishte pikërisht shërbimi i Kryqit. Ai, Jezusi, u përul deri në vdekje, në vdekjen në Kryq, për ne, për të na shërbyer neve, për të na shëlbuar neve. E në Kishë, nuk ka rrugë tjetër për të ecur përpara. Për të krishterin, të ecësh përpara, do të thotë të përulesh. Nëse nuk e mësojmë këtë rregull të krishterë, kurrë, kurrë nuk do ta kuptojmë mesazhin e vërtetë të Jezusit për pushtetin”.
Të ecësh përpara, të përparosh, shtoi Ati i Shenjtë, do të thotë të përulesh, të jesh gjithmonë në shërbim të të tjerëve. E në Kishë, është më i madh pikërisht ai, që shërben më shumë: ky është rregulli. Pavarësisht nga kjo, pohoi Papa Françesku, që nga zanafilla e deri më sot, ka pasur e ka “luftë për pushtet brenda Kishës”, madje, kjo duket edhe në mënyrën e të folurit:
“Kur ndonjërit i japin një detyrë, që sipas syve të botës, është e rëndësishme, thuhet: ‘Ah, filanja u promovua në kryetare të asaj apo kësaj shoqate, ose filani u promovua, u ngrit në detyrë…”. Kjo folje, promovoj: po, është folje e bukur, duhet përdorur në Kishë. Po: filani u promovua me Kryq, fisteku u promovua me përulje. Ky është promovimi i vërtetë, ai që i ngjan më mirë Jezusit!”
Papa kujtoi shën Injacin e Lojolës, i cili, në Ushtrimet e tij Shpirtërore, i kërkonte Zotit të Kryqëzuar “hirin e përuljes, të poshtërimeve”. Ky, tha sërish Ati i Shenjtë, është “pushteti i vërtetë i shërbimit të Kishës”. Kjo është udha e vërtetë e Jezusit, promovimi i vërtetë, ngritja e vërtetë në detyrë:
“Udha e Zotit është shërbimi: ashtu si shërbeu Ai, edhe ne duhet t’i shkojmë pas, udhës së shërbimit. Ky është pushteti i vërtetë në Kishë. Dua sot të lutemi për të gjithë ne, që Zoti të na japë hirin për ta kuptuar këtë: pushteti i vërtetë në Kishë është shërbimi. E, edhe për ta kuptuar atë rregull të artë, që Ai na mëson me shembullin e Tij: për të krishterin, të zhvillohesh, të përparosh, do të thotë të përulesh, të përulesh. T’ia kërkojmë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.