2013-05-21 14:21:48

Maria Voçe: me Papën në Rrëshajë, ndjemë ndikimin e ri të Shpirtit Shenjt


Sot në mëngjes, në meshën e kemtuar nga Papa Françesku në Vatikan, ishte e pranishme edhe kryetarja e Lëvizjes së Fokolarëve, Maria Voçe. Që të dielën në takimet me Atin e Shenjtë, për ditën e Rrëshajëve dhe të Lëvizjeve e të Shoqatave katolike, Maria Voçe përshkruan në mikrofonin tonë, ndjenjat që karakterizuan pjesëmarrjen e saj e të fokolarinëve në meshën e së dielës, si edhe sfidat që e presin Lëvizjen, e cila – po e kujtojmë – punon e vepron edhe në Shqipëri:
[Mesha] u përjetua me gëzim të jashtëzakonshëm, gëzim për atë pjesëmarrje kaq të madhe e kaq të gjallë, në një atmosferë lutjeje: dikim i ri i Shpirtit Shenjt. E ndjemë të gjithë se ishte një Rrëshajë e re. Është gëzim i madh t’i japim Papës sigurinë se ekziston gjallëri e forcë jetësore në Kishë, edhe sot, pavarësisht nga vështirësitë.
Fjalët e Papës, nga të cilat e ndjetë se Ati i Shenjtë iu përforcoi e ato, që iu nxitën për ripërtëritje?
Të përforcuar, sigurisht në impenjimin për ta jetuar karizmën tonë, sepse ndjehej fort sa thelbësor është bashkimi në Kishën e sotme. Ishim në festë, pyesnim njëri-tjetrin, u siguronim të tjerëve se do të luteshim për ta, merrnim pjesë në gëzimet e në vështirësitë, në sprovat, që lëvizjet kishin përballuar e kapërcyer. Të ripërtërirë, ndoshta, në guximin për t’i bërë ballë botës, sepse Papa Françesku nënvizoi me forcë shtysën e brendshme të çdo lëvizjeje drejt të tjerëve, duke u vënë në dispozicion të Kishës për të shërbyer më të fundmit. Ta dëgjoje këtë me atë forcë, ishte sikur Papa të na jepte guxim për të thënë: jemi të vegjël, jemi të brishtë, por na udhëheq Jezusi, Krishti është me ne e Papa na dërgon në udhët e botës… pra, mund të shkojmë.
Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë u kërkoi të gjitha lëvizjeve të mos mënjanohen, të mos bien në ‘partikularizëm’ – siç e quajti – por edhe të mos homologohen me botën. Tri, fjalët e Papës për lëvizjet katolike: harmoni, risi, mision. Ç’duan të thonë për ju, konkretisht?
Mua më bëri shumë përshtypje fjala “risi”, na sfidon më shumë se të tjerat. Në një farë kuptimi, tundohemi të gjithë të kënaqemi me udhën e bërë e të flemë mbi dafina për përvojën e arritur, ndërsa Papa na tha t’i pranojmë të papriturat e Shpirtit Shenjt, ta dëgjojmë mirë ç’na kërkon e ta ndjekim nëpër udhët e botës.
E si mendoni se mund të kontribuojnë Lëvizjet katolike për një Kishë, që siç thotë Papa Bergolio, të mos ketë si pikë referimi vetëm vetveten e të mos kthehet në organizatë?
Më duket se Papa na fton ta lemë Jezusin të ecë para nesh, të na udhëheqin interesat e Zotit. E na tha edhe si ta bëjmë këtë, pasi theksoi se Krishti i Ringjallur mund të jetë mes nesh. Pra, të ecim nëpër udhët e botës për të dëshmuar se Ungjilli është i gjallë, se jetohet e se jeta ungjillore kërkon dashuri ndërmjet njerëzve. Është kjo, që sjell praninë e të Ringjallurit mes nesh, takimin me Të. Vërtet, takimi me Jezusin, që Papa e nënvizoi me forcë, mund të bëhet vetëm nëse Krishti ecën nëpër udhët e botës, e jo kur mbetet i mbyllur nëpër kisha. Prandaj, i thamë njëri-tjetrit: përpara, duke shpresuar në guximin për të ecur me besim të ripërtërirë.








All the contents on this site are copyrighted ©.