Në Libi, natën e 17 majit, u mor në shënjestër kisha e Zojës së Papërlyer e Bengasit.
Dikush kishte vënë një bombë në hyrje të korridorit, që çon në oborrin, ku ndodhet
porta e kishës. Kisha nuk u prek drejtpërdrejt, por atentati, bërë me qëllim fyerjeje
ishte shenjë jo pozitive, njofton agjencia Fides. Ky atentat e thellon më tej situatën
e vështirë, në të cilën jeton bashkësia e vogël e krishterë në kryeqendrën e Cirenajkës,
gjithnjë në shënjestër të fondamentalistëve islamikë. Në Bengasi u sulmua kisha kopte,
u vra kapelani i saj e tani po sulmohet edhe kisha katolike. Shumë institute fetare
rregulltaresh janë detyruar të largohen, duke e lënë popullsinë pa shërbimin e tyre
bujar. E megjithatë të diel, në Meshën e Rrëshajëve, morën pjesë shumë njerëz, posaçërisht
libikë, që erdhën t’i shprehin solidaritetin e tyre meshtarëve e atyre pak murgeshave,
të cilat vijojnë t’i shërbejnë këtij vendi të martirizuar, duke vënë në rrezik vetë
jetën e tyre. “Mjaft më me dhunë; mjaft më me vrasje pa pikë kuptimi. Ne dëshirojmë
të dialogojmë. E kemi besim në vullentin e mirë të popullit libik, që na do” thekson
imzot Martineli, mëkëmbës apostolik i Tripolit.