2013-05-19 15:24:48

Shenjtorët e javës 19 -26 maj


E diel 19 maj, Kisha katolike kremton solemnitetin e Rrëshajëve, festën e lindjes së Kishës sepse kremtimi i Rrëshajëve, festimi i Zbritjes së Shpirtit Shenjt Zot mbi Apostujt e mbledhur në Cenakull së bashku me Marinë, shënon pikërisht plotësimin e premtimeve të Krishtit: dërgimin e Shpirtit Shenjt për t’i ndihmuar dishepujt e vet në misionin, veprimtarinë, lodhjen e frikën e tyre. U tha: “Do të ju dërgojë Shpirtin Shenjt. Ai do të ju japë forcë, guxim e entuziazëm”! Me ndihmën e Shpirtit Shenjt ecim plot shpresë në kërkim të së vërtetës së plotë, që gjendet në Jezusin e në Atin qiellor, lumturia e të cilit shkëlqen në mbarë universin
Gjithnjë më 19 maj, kalendari kishtar përkujton shën Çelestinin V, papë, shën Urbanin I papë, shenjtorët Parteni e Kallugjeri, martirë, shën Ivon meshtar e shën Krispinin nga Viterbo, rregulltar kapuçin.
Të hënën më 20 maj kalendari
kujton shën Bernardinin nga Siena, meshtar françeskan, që na kujton se krishterimi nuk është i lehtë, por i lum.
Të martën më 21 maj kalendari kujton shën Kristoforin Magalanes, meshtar e shokët e tij martirë në Meksikë dhe shën Eugjenin Mazenod, ipeshkëv i Marsejës, themelues i Oblatëve të Zojës së Papërlyer.

Të mërkurën më 22 maj kalendari kujton shën Riten nga Kasha, rregulltare agostiniane e shën Julien, virgjër e martire.

Të enjten më 23 maj kalendari kujton shën Gjon Batist de Rosin, meshtar romak.
Të premten më 24 maj Kisha kremton festën e Zojës Ndihmëtare. Liturgjia na kujton se Shpirti Shenjt, Shpirt i vërtetësisë dhe i dashurisë, i prin Kishës në rrugën drejt Krishtit e Atit të tij qiellor.

Të shtunën më 25 maj kalendari kujton shën Gregorin VII, papë, shën Beda Venerabile, meshtar Benediktin e doktor i Kishës; shën Marinë Magdalenë de’Pazzi, virgjër. .

Të dielën e ardhshme më 26 maj Kisha katolike do të kremtojë solemnitetin e Trinisë Shenjte. Pas festën së Rrëshajëve kremtuar të dielën e kaluar, me të cilën u mbyll cikli i kohës së Pashkëve, me këtë të diele, Kisha e fillon ciklin tjetër kohor të quajtur “Gjatë Vitit” dhe me njëherë na propozon festën më të Madhe e më të mistershme të fesë sonë të krishterë: festën e Trinisë Shenjte Hyjnore. Përmes festës së Trinisë Shenjte Kisha na propozon të vërtetën e fesë: Hyji Atë e ka dërguar në botë të Birin e Vet, Fjalën e së Vërtetës, Jezusin, dhe Shpirtin Shenjtë shenjtërues për të na bërë pjesëmarrës të jetës së tij Hyjnore.
Hyji Atë bashkë me të Birin e Tij Jezus Njëlindurin dhe me Shpirtin Shenjtë, janë Një Zot i vetëm në Trininë e vehtjeve dhe në Njininë e natyrës. Ai na ka zbuluar këtë mister përmes Jezus Krishtit, e ne besojmë dhe e dëshmojmë fenë tonë në Hyjin e vërtetë dhe të përjetshëm, rrëfejmë Njëninë e Natyrës e Barazinë e madhërisë së Trinisë Hyjnore.
Të kremtosh festën e të Shenjtënueshmes Trini për besimtarin domethënë t’i përgjigjesh dëshirës për ta njohur Zotin gjithnjë më tepër, por edhe të jesh i gatshëm ndaj manifestimit, shfaqjes së Tij Hyjnore: Ai i pari e dëftoi veten porsi Urti, porsi Fjalë dëftuese, porsi Dashuri jetike.







All the contents on this site are copyrighted ©.