2013-05-19 14:38:54

Papa Françesku në Meshën me lëvizjet e shoqatat shekullare: besojani veten Shpirtit Shenjt


Të mundet frika, të hiqet dorë nga skemat e siguritë vetjake, për t’ia hapur zemrën horizonteve të Hyjit. E t’u thuhet ‘jo’ sektarizmave, njëanshmërive, udhëve paralele, që çojnë në përçarje. Këtë theksoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së Rrëshajëve, kremtuar sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, në praninë e qindra mijëra shtegtarëve, përfaqësues të lëvizjeve, bashkësive, shoqatave e grupeve të reja shekullare nga mbarë bota, ardhur në Romë me rastin e Vitit të Fesë. Bashkëkremtuan me Papën, 70 kardinaj e ipeshkvij, 400 meshtarë.

Risi, harmoni, mision: tri fjalë, që shprehin veprimin e Shpirtit Shenjt, fryma e pakundërshtueshme e të cilit vërshon, me rezultate të mahnitshme. Kështu u shpreh Papa Françesku, duke reflektuar mbi ndikimin e Shpirtit Shenjt, që zbriti nga Krishti i ngjallur mbi Kishën e Tij:
“…një ngjarje hiri, që e mbushi përplot Çenakullin e Jeruzalemit, për t’u përhapur, pastaj, në mbarë botën”.
Apostujt në Çenakull, në Jeruzalem, të prekur në mendje e në zemër nga shenja të sakta e konkrete, nga era e fortë, që zbriste prej qiellit, si stuhi e nga gjuhët e flakëve, që pushuan mbi kokat e tyre, u mbushën përplot me Shpirtin Shenjt e nisën t’i flasin turmës në gjuhë të panjohura më parë, për veprat e mëdha të Hyjit. Të gjithë e ndjenë fuqimisht risinë. Po ne, a jemi gati për këtë risi?
“E reja shkakton gjithnjë pakëz frikë, mbasi ndjehemi më të sigurt kur e kemi gjithçka nën kontroll, kur jemi ne, që e ndërtojmë, e programojmë, e planifikojmë jetën tonë, sipas skemave tona, sigurive tona, shijeve tona”.
E kjo na ndodh edhe me Zotin, vërejti Papa. E ndjekim, e pranojmë, por deri diku; na duket punë e vështirë ta lëshojmë plotësisht veten në dorë të Tij, duke e lënë Shpirtin Shenjt të na frymëzojë, t’i prijë jetës sonë, në të gjitha udhët:
“Kemi frikë se Zoti na bën të ecim në udhë të reja, na bën të dalim nga horizonti ynë, shpesh i kufizuar, i mbyllur, egoist, për të na hapur horizontet e Tij”.
Por është pikërisht risia, që sjell Hyji në jetën tonë, ajo, që na realizon me të vërtetë, kujtoi Papa, ajo, që na jep gëzimin e vërtetë, qetësinë e vërtetë, sepse Zoti na do e dëshiron gjithnjë të mirën tonë.
“Nuk është risi për risi, kërkim i së resë, për të hequr mërzinë, siç ndodh shpesh në kohët tona”.
Prej këndej, pyetja:
.. a ia hapim zemrën ‘të papriturave të Zotit?’. Apo ia mbyllim, me frikë, risisë së Shpirtit Shenjt? A guxojmë të ecim në udhë të reja, që na i hap para risia e Zotit, apo mbrohemi, të ngujuar në strukturat ditëshkurtëra, që e kanë humbur aftësinë e mikpritjes?”.
E nëse Shpirti Shenjt duket sikur krijon çrregullim në Kishë, duke sjellë larmi karizmash, dhuratash në frymën e Tij, shpjegoi Papa, kjo duhet vlerësuar si pasuri e madhe, sepse Shpirti Shenjt është Shpirt i unitetit. E kjo nuk është monotoni, është harmoni. Por vetëm ai mund të veprojë në këtë mënyrë:
Edhe këtu, kur jemi ne që duam ta bëjmë larminë e të mbyllemi në sektarizmat, në qëndrimet e njëanshme, nuk bëjmë tjetër, veçse të shkaktojmë përçarje; e kur jemi ne, që duan ta bëjmë unitetin sipas planeve tona njerëzore, përfundojmë në monotoni, në sheshim vlerash”.
Ecja së bashku, të prirë nga barinjtë, që kanë karizmën e posaçme të misionit, është shenjë e hirit të Shpirtit Shenjt, u kujtoi Papa Françesku mijëra besimtarëve të lëvizjeve, shoqatave dhe bashkësive, nga mbarë bota:
“Është Kisha, ajo që ma sjell Krishtin e më çon tek Krishti; udhët paralele janë të rrezikshme”.
Prej këndej, qortimi: nuk duhet të rrezikohemi, duke shkuar përtej doktrinës e Bashkësisë kishtare:
Ta pyesim veten atëhere; a ia hap zemrën harmonisë së Shpirtit Shenjt, duke kapërcyer çdo qëndrim të njëanshëm? A e lë të më prijë, duke jetuar në Kishë e me Kishën?”.
E, të mos harrojmë, Shpirti Shenjt është edhe shpirt i misionit:
Shpirti Shenjt na bën të hyjmë në misterin e Zotit të gjallë, na shpëton nga rreziku i një Kishe gnostike, një Kishe të mbyllur brenda vetes, brenda gardhit të vet”.
Rrëshajët e Çenakullit të Jeruzalemit janë fillesë, një fillesë që zgjatet në kohë, përfundoi Papa Françesku, që kërkoi përsëri:
“Ta pyesim veten: kemi prirje të mbyllemi në vetvete, në grupin tonë, apo e lëmë Shpirtin Shenjt të na i hapë zemrat, duke na bërë gati për mision”.
T’ia bëjmë, pra të gjithë këtë pyetje vetes e t’i përgjigjemi Papës, duke ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt, gati për mision!







All the contents on this site are copyrighted ©.