2013-05-17 19:15:53

Deklaratë e Këshillit evropian të Feve për Paqen


“Paqja nuk mund të jetë e qëndrueshme, pa njohjen e plotë të dinjitetit të njeriut, nga i cili rrjedhin të gjitha të drejtat, përfshirë lirinë fetare”. Kështu shkruajnë rregulltarët e Evropës, anëtarë të Këshillit evropian të Feve për Paqen, në “Deklaratën e Vienës”, e cila iu dha shtypit sot. Deklarata u referohet rezultateve të Takimit të Këshillit, që u zhvillua në kryeqytetin austriak, më 7 e 8 maj. Ajo nënshkruhet nga përfaqësues të Kishës Katolike, të asaj Ortodokse, të asaj Protestante, nga eksponentë të fesë myslimane, nga bashkësitë hebraike, hinduiste, budiste, zarathustriane e nga sikhët. Të gjitha këto fe janë të pranishme në kontinentin e vjetër.
Takimi i Vienës u zhvillua në selinë e OSBE-së dhe pati për temë “Liria fetare: të drejta e impenjime”. “Siç kemi parë në histori – shkruhet në Deklaratë – liria e fesë apo e besimit, në veçanti ajo e pakicave, kufizohet shpesh nga shteti, ose kërcënohet nga individë, grupe laikësh e klerikësh. Prandaj, t’i bashkojmë forcat për të luftuar çdo formë kërcënimi. Si krerë fetarë pranojmë detyrimin e veçantë për të denoncuar çdo kërcënim, që i vjen lirisë fetare të të tjerëve nga bashkësitë tona”.
Ndër impenjimet, edukimi fetar në gjuhën e zgjedhur nga besimtarët, sigurimi i lirisë së prindërve për t’i edukuar fëmijët sipas bindjeve të tyre dhe e drejta e besimtarëve të blejnë, të zotërojnë e të përdorin tekste kishtare dhe botime fetare në gjuhën e tyre.








All the contents on this site are copyrighted ©.