Terrorizëm në Afrikë. Imzot Çulikati në OKB: “Fyerje e rëndë për gjithë njerëzimin”
Plagës së terrorizmit duhet t’i përgjigjemi me solidaritetin ndërmjet kombeve e me
impenjimin e Bashkësisë Ndërkombëtare për të mbrojtur jetën e për të promovuar të
drejtat themelore të njeriut. Është thirrja e imzot Frensis Çulikat, Vëzhgues i Përhershëm
i Selisë së Shenjtë pranë OKB-së, lexuar të dielën gjatë debatit të Këshillit të Sigurimit
për terrorizmin në Afrikë. Duke kujtuar sulmin e pakuptimtë kundër kishës së shën
Jozefit në Arushë të Tanzanisë, imzot Çulikat vërejti se “aktet e terrorizmit përbëjnë
fyerje kundër gjithë njerëzimit”. Selia e Shenjtë dënon me forcë çdo lloj terrorizmi,
tha ai, në veçanti, manipulimin e fesë për të justifikuar masakrimin e njerëzve të
pafajshëm. Dhuna në emër të fesë, nënvizoi kryeipeshkvi, duke cituar Benediktin XVI,
është e kundërta e fesë e madje, kontribuon në rrënimin e plotë të saj. Imzot
Çulikat u kërkoi të gjithëve, por sidomos mediave, të mos heshtin para akteve të terrorizmit
në Afrikë. Bashkësia ndërkombëtare, nënvizoi ai, duhet të punojë, që të arrijnë të
gjitha mjetet e nevojshme për të mos e lejuar terrorizmin të gjejë mbështetje në terren.
Në fund, kryeipeshkvi kujtoi fjalët e Papës Françesku, për ta kundërshtuar të keqen
me të mirë, duke punuar së bashku për të ndërtuar një shoqëri gjithnjë e më të drejtë,
më të lirë e më të sigurtë.