2013-05-15 16:59:54

Papa Françesku dhe Zoja e Bonaria-s


Qyteti i lindjes i Papës Françesku, Buénos-Ájres, quhet kështu për shkak të devocionit të themeluesit për Zojën e Bonaria-s të Sardenjës.Kur u vu guri i themelit (më 2 shkurt 1536), Pedro de Mendoza ia kushtoi vendin Shën Mërisë së Ajrit të Mirë (Nostra Signora Santa Maria del Buon Ayre), për të mbajtur premtimin, bërë Pajtores së Lundërtarëve, që ndodhej në Bashkëvëllazërinë e Mareantes di Triana, anëtar i së cilës ishte. Edhe në rithemelimin e qytetit nga Juan de Garay, më 1580, emri përfundimtar është “Ciudad de la Santissima Trinidad en el Puerto de Santa Maria del Buen Aire”. Në të vërtetë “Buon Aire” ishte mënyra kasteliane e shqiptimit të emrit të Zojës së Ajrit të Mirë, domethënë Zojës Candelaria (Candelora-Zoja e Qirinjve), së cilës etërit mercedarë i kishin ngritur një shenjtërore për lundërtarët në Kaliari të Sardenjës. E po kjo Zojë nderohej edhe nga lundërtarët e Kadices, në Spanjë.
Historia tregon se në vitin 1370, në brigjet e Sardenjës, asokohe pushtuar nga katalanët, dallgët e detit nxorën një arkë, në të cilën gjindej figurja e Zojës me Foshnjën Hyjnore në njërin krah, e në tjetrin, një qiri. Që asokohe u nderua si Zoja e Lundërtarëve e u quajt Bonaria, ose e Ajrit të Mirë.
Në kohën e sundimit katalan mbi Sardenjën, Zoja u njoh shumë edhe nga spanjollët. Në Spanjë, përmes detarëve, kulti i saj u bë popullor, posaçërisht në portin e Seviljes, prej nga niseshin ekspeditat për pushtimin e tokave të reja.
Kështu Zoja arriti në Rio de la Plata, e mbartur nga dy priftërinj, anëtarë të grupit të Don Pedro de Mendoza i cili, për shkak të devocionit marian, vendosi t’i japë emrin e Saj, qyetit të sapothemeluar prej tij.








All the contents on this site are copyrighted ©.