2013-05-14 12:19:33

Papa: të mos mbyllemi në egoizmin tonë, kush e dhuron jetën për hir të dashurisë, nuk është kurrë vetëm


Kemi nevojë për një “zemër të madhe”, të aftë për të dashur. Kështu tha sot, Papa Françesku, në homelinë e meshës së kremtuar në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë mori shembullin e Judës, i cili u mbyll në vetvete, u izolua në egoizmin e vet e kjo e çoi në tradhëtinë kundër Jezusit.RealAudioMP3
Nëse vërtet duam ta ndjekim Jezusin, theksoi Papa Bergolio, duhet të jetojmë, duke e kuptuar jetën si dhuratë për të tjerët, jo si thesar për t’u fshehur e ruajtur me xhelozi. Duke pasur parasysh leximet e liturgjisë së sotme, Ati i Shenjtë vuri ballë për ballë dy udhë: atë të dashurisë e atë të egoizmit. Jezusi, vërejti Papa argjentinas, na thotë sot fjalë të fuqishme: “Dashuria më e madhe, që ndokush mund të tregojë është: të japë jetën e vet”. Por liturgjia na flet edhe për Judën, i cili kishte sjellje diametralisht të kundërta me qëndrimin e Jezusit. Arsyeja është, shpjegoi Papa, se Juda nuk e pati kuptuar kurrë ç’do të thotë ‘dhuratë’:
“Të mendojmë për çastin kur Magdalena lan këmbët e Jezusit me parfumin e çmuar: është çast fetar, çast mirënjohjeje, çast dashurie. E Juda kritikon hidhur: ‘Ky mund të përdorej për të varfërit!’ Unë e konsideroj këtë referimin e parë në Ungjill për varfërinë, të kuptuar si ideologji. Ideologu nuk e di ç’është dashuria, sepse nuk di ta dhurojë vetveten”.
Juda, vërejti Papa Françesku, rrinte mënjanë, në vetmi, e kjo sjellje egoiste u shtua derisa tradhëtoi Jezusin. Kush dashuron, e jep jetën si dhuratë, ndërsa egoisti kujdeset vetëm për jetën e vet. Gjithnjë i vetëm, bëhet edhe më egoist e përfundon si tradhëtar. Në të kundërtën, nënvizoi Ati i Shenjtë, kush e jep jetën për hir të dashurisë, nuk është kurrë vetëm, por në bashkësi, në familje. Ndërsa Juda ishte idhujtar, pas parave:
“Kjo idhujtari e shtyu drejt izolimit nga bashkësia, nga të tjerët. Kjo është drama e ndërgjegjes së izoluar: kur i krishteri fillon të izolohet, e largon edhe ndërgjegjen e vet nga bashkësia e nga Kisha, nga dashuria, që na jep Jezusi. Ndërsa i krishteri, që e jep jetën e vet, që ‘e humb’, siç thotë Jezusi, e gjen pastaj atë, në plotësi. Ai që, si Juda, dëshiron ta ruajë vetëm për vete, në fund, e humb. Shën Gjoni ungjilltar na thotë se ‘në atë çast Djalli hyri në zemrën e Judës’. E duhet ta themi: Djalli nuk shpërblen mirë. Na mashtron gjithmonë: gjithmonë!”
Ndërsa Jezusi na do gjithmonë dhe e dhuron gjithnjë vetveten. E kjo dhuratë dashurie, tha Papa Françesku, na nxit edhe ne të duam e të japim fryte. Fryti mbetet, vërejti Ati i Shenjtë, që e përfundoi homelinë me lutjen lartuar Shpirtit Shenjt:
“Në këto ditë, kur presim festën e Shpirtit Shenjt, të lutemi: Eja o Shpirt i Shenjtë, eja e më jep një zemër të madhe, një zemër të aftë të dojë me përvuajtëri, më butësi, por ama të jetë gjithmonë e madhe, e aftë për dashuri. T’ia kërkojmë këtë hir, Shpirtit Shenjt. E na liroftë përgjithmonë nga udha tjetër, ajo e egoizmit, që përfundon keq. T’ia kërkojmë këtë hir”.








All the contents on this site are copyrighted ©.