Sot më 14 maj kalendari kishtar përkujton Shën Matinë Apostull. Emri Mati
vjen nga hebraishtja e do të thotë: Njeri i Zotit. Portretin e Shenjtit na e përshkruan,
gati pa dashur, vetë Shën Pjetri. Pas ngjitjes së Krishtit në qiell, ai i thotë bashkësisë
së vogël të krishterë të Jeruzalemit se duhej zëvendësuar Juda Iskarioti, tradhtari,
për ta plotësuar sërisht numrin e 12 apostujve. E i lë vetë vëllezërit në fe të zgjedhin. Atëherë
bëhet zgjedhja, sipas këtyre porosive të Pjetrit: “Apostulli i ri duhet zgjedhur ndërmjet
atyre, që ishin shokë gjatë gjithë kohës, në të cilën Zoti Jezus jetoi ndërmjet nesh,
duke nisur nga pagëzimi i Gjonit, deri në ditën kur prej nesh u ngjit në qiell”. Kështu
lexohet në Kapitullin e parë të Veprave të Apostujve. Besimtarët ia vunë gishtin dy
vetëve, që i kishin këto cilësi. Njëri ishte Matia, tjetri, Jozefi, i mbiquajtur Barsabbà. Si
arritën në këtë pikë, shtinë short, pasi iu luten Zotiti kështu: “Ti, që e njeh zemrën
e të gjithëve, tregona cilin prej tyre e ke caktuar të zërë vendin në këtë detyrë
e apostullim, të cilin e braktisi Juda, për të shkuar në vendin që e zgjodhi vetë!”
Shorti i ra Matisë, e ai u bashkua me njëmbëdhjetë apostujt. Ai është i vetmi nga
të Dymbëdhjetët, që nuk u thirr drejtpërdrejtë nga Jezusi, por gjithsesi qe me Krishtin
që në fillim e deri në fund të jetës së Tij publike, duke u bërë dëshmitar i vdekjes
dhe i ngjalljes së Jezusit. Emrin e Matisë e gjejmë vetëm këtë herë në Besëlidhjen
e Re. Më pas nuk dimë asgjë të saktë: kemi vetëm tregime të traditës, pa kurrfarë
baze historike, të cilat flasin për predikimin dhe vdekjen e tij në emër të Jezu Krishtit,
por me një pasaktësi të plotë mbi vendet përkatëse: disa i vendosin ngjarjet e jetës
së Apostullit në Judé, të tjerë, në Etiopí. Historiani i Kishës, Euzebi i Çezaresë
(265 – 340) në historinë e tij kishtare, shkruan se nuk ekziston kurrfarë liste e
shtatëdhjetë nxënësve të Jezusit ( veç asaj të Apostujve) e shton: “Tregohet se edhe
Matia, që u bashkua me Apostujt në vend të Judës, e edhe shoku i tij, që pati nderin
të kandidonte për këtë detyrë, qenë gjykuar të denjë ndërmjet të shtatëdhjetëve. Prej
këndej mund të themi se Matia duhet të ketë bërë pjesë në numrin e 72 nxënësve, të
cilët Jezusi i dërgoi dy nga dy përpara tij, për të predikuar në çdo qytet e në çdo
vend, ku do të shkonte, e që u kthyen plot entuziazëm, duke thënë: “Zot, edhe djajtë
na binden në emër tënd. Ndonëse tradita flet për Matinë si ungjillëzues i Lindjes
së Mesme e i Afrikës, emri i tij arriti që në shekujt e parë edhe në Evropën veriore
e qyteti i lashtë gjerman Trier e nderon si Pajtor. Emri Mati është shumë i përhapur
kryesisht në Shqipërinë e veriut, ku shpesh ka marrë trajtat: Matish e Tish.