Ekspozimi i përhershëm i shën Piut nga Pietralçina
Nga data një qershor trupi i shën Piut nga Peitralçina do të ekspozohet në mënyrë
të përhershme në Kishën e ultë që bartë emrin e tij në San Giovanni Rotondo të Italisë.
Kremtimin e Meshës së Shenjtë për fillimin e ekspozimit do ta kryesojë prefekti i
Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e shenjtorëve, kardinali Angelo Amato. Lajmi
i njoftua nga zyra e shtypit e Fretërve të vegjël Kapuçinë të Provincës rregulltarë
Sant’Angelo e atë Pio. Kujtojmë se ekspozimi i vetëm me relike të fratit Pio nga
Pietralçina është bë nga 24 prilli 2008 deri më 24 shtator 2009. Së bashku me kardinalin
Amato – thuhet në njoftim – “në San Giovanni Rotondo do të mbërrijnë në shtegtim,
për të nderuar reliket e shenjtit, të gjithë bashkëpunëtorët që ofrojnë shërbimin
e tyre pranë Dikasterit”. Në Meshën e fillimit të ekspozimit do të bashkëkremtojnë
kryeipeshkvi i Manfredonia-Vieste-San Giovanni Rotondo, imzot Michele Castoro; kryeipeshkvi
sekretar i Kongregatës së Vatikanit për Çështjen e shenjtorëve, imzot Marcello Bartolucci
e shumë meshtarë dioqezane rregulltarë kapuçinë. Trupi i shën Piut nga Pietralçina
do të qëndrojë në të njëjtin vend, do të thotë në hapësirën ndërmjet dy sipërfaqeve
të plinin qendror të Kishës së poshtme, ruajtur në një kuti xhami. Shën Piutnga
lindi më 25 maj 1881 në Pietralçina, në provincë të Beneventos. Vetëm 16 vjeç, hyn
në kuvendin e Etërve rregulltarë kapuçinë më 22 janar 1903 duke marrë emrin si rregulltar,
fra Piu nga Pietralçina. Shtatë vjet më vonë bëhet meshtar, më 10 gusht 1910. Në
vitin 1916 eprorët e transferojnë në San Giovanni Rotondo, mbi Garganë, në Pulje,
e këtu në kuvendin e Shën Marisë së Hireve, nis historia e tij prej traumaturgu e
apostulli të Sakramentit të Rrëfimit. Më 20 shtator 1918 Atë Piu kapuçin fiton varrët
e Mundimeve të Krishtit që do të mbesin të hapura, me dhimbje e gjakderdhje për 50
vjet më radhë. Vdes më 23 shtator 1968, 81 vjeç. Shpallet i lumë më 1999, kanonizohet
më 16 qershor 2002 nga Papa Gjon Pali II. Shën Piu nga Pietralçina, meshtar i Urdhrit
të Fretërve të Vegjël Kapuçinë, u impenjua shumë në udhëheqjen shpirtërore të besimtarëve
e në pajtimin e mëkatarëve me Zotin përmes Sakramentit të Rrëfimit. Pati një kujdes
të posaçëm ndaj nevojtarëve e të varfërve, për të cilët dhuroi gjithçka e ndërtoi
edhe një shtëpi-spital “Lehtësimi i vuajtjeve”. Shtegtimi tij tokësor qe plotësisht
në shëmbëllim të Krishtit të kryqëzuar. Duke përshkruar figurën e Shën Pios, duhet
të nënvizojmë dy aspekte themelore të fratit nga Pietralçina: besnikërinë e tij ndaj
Ungjillit dhe orientimin e vazhdueshëm drejt mbretërisë së qiellit. Atë Piu, që vazhdon
të jetojë në misterin e Jezusit të vdekur e të ngjallur, ishte dishepull i Krishtit
që nuk deshi tjetër veçse të donte e të vuante për Të. Ishte meshtar që nuk kërkoi
gjë tjetër veçse të shkrihej në dashurinë për Zotin e për vëllezërit. Ishte bir
i sinqertë i Kishës, i cili edhe në rastet më të dhimbshme preferoi të mos mbrohej,
duke e mohuar vetveten, i varrosur nën heshtjen e butë të bindjes së mundimshme, por
të frytshme. Me shfaqjen e plagëve të Krishtit në trupin e tij, Atë Piu “riprodhonte
dukshëm figurën e të Kryqëzuarit” dhe fizikisht, sa herë që jepte Sakramentin e faljes,
dëshmonte për çmimin e gjakut të shenjtë, që i është dashur të paguajë Krishtit për
shpëtimin e njerëzimit. Plagët e Krishtit u kujtonin të gjithë atyre, që kërkonin
ndërhyrje e mrekulli përmes Shën Piut, se sa kushtonin ato “hire”, që Zoti shpërndante
me bujari e përdëllim. Thelbi i jetës së Atë Piut përmblidhet në Meshën e Shenjtë,
në kremtimin e përditshëm të Eukaristisë. Frati i Pietralçinës i këshillonte të gjithë
besimtarët e të gjithë njerëzit, t’i afroheshin Jezusit, në një takim pa rezerva,
siç mund të kuptohet edhe nga një regjistrim i zërit të shenjtit, ku pohonte: “Të
duam pa asnjë rezervë, pavarësisht nga shpërblimi, që Zoti ka në mend për ne – ajo
është rrjedhojë – duke e bërë tonin moton e Shën Palit Apostull kur thotë: nuk dua
të di gjë tjetër, veçse për Jezusin e për Jezusin e kryqëzuar”.