2013-05-13 15:02:15

Paqja e lufta kundër pabarazive, në qendër të takimit të Papës me presidentin kolumbian


Papa Françesku priti sot paradite në Vatikan, presidentin e Republikës së Kolumbisë, Juan Manuel Santos Calderòn. Gjatë takimit të përzemërt, u fol për aktualitetin e figurës së murgeshës Laura Montoja Upegui, shenjtja e parë kolumbiane, që u lartua dje në nderimet e elterit. Në notën e Sallës së Shtypit të Selisë së Shenjtë, ajo quhet “interpretuese e frytshme e rrënjëve të krishtera të vendit”.
Më pas, Ati i Shenjtë dhe presidenti kolumbian biseduan për kontributin e Kishës në promovimin e kulturës së bashkëveprimit, sidomos përmes veprave e institucioneve në shërbim të përparimit njerëzor e shpirtëror të vendit. Theks i veçantë, mbi nevojtarët e rininë. U fol për sfidat, që duhet të përballojë Kolumbia, sidomos në sektorin e pabarazive shoqërore. U diskutua për procesin e paqes dhe për viktimat e konfliktit kolumbian, me urimin që të vazhdohen bisedimet, duke kërkuar sinqerisht të mirën e përbashkët e pajtimin. Së fundi, u nënvizua impenjimi i Kishës në favor të jetës e familjes.







All the contents on this site are copyrighted ©.