2013-05-13 15:49:15

Papa Francesku: Shpirti Shenjt është i panjohuri i fesë sonë, por Ai na i kujton gjërat e Zotit.


Është Shpirti Shenjt ai, që i krijon të krishterit mundësinë të kujtojë historinë e dhuratave të marra nga Zoti. Pa këtë hir, njeriu ka rrezik të bjerë në idhujtari. Papa Françesku e pohoi këtë në homelinë e Meshës, kryesuar sot paradite në Shtëpinë e Shën Martës. Në kremtim morën pjesë punonjësit e Drejtorisë teknike, administrative e të përgjithme të Radio Vatikanit dhe të Këshillit Papnor të baritorisë për emigrantët, kryesuar nga krerët e dikastereve: kryetari, kardinali Antonio Maria Vegliò; sekretari, imzot Jozef Kalathiparambil dhe zëvendës-sekretari, atë Gabriele Bentolio, që bashkëremtuan me Papën.

Përgjigjja dhënë Shën Palit nga një grup dishepujsh të Efezit, të cilën e lexojmë në Veprat e Apostujve, është e habitshme: “As dëgjuar nuk kemi se ekzistoka Shpirti Shenjt”. Papa Françesku e filloi homelinë me këto fjalë, duke u nisur nga habia e Shën Palit, kur i dëgjoi e duke vërejtur më pas, me realizëm, se qëndrimi i të krishterëve të dymijë vjetëve më parë, nuk u përket vetëm atyre kohëve të largëta. Shpirti Shenjt, pohoi, është gjithnjë disi i panjohur për fenë tonë:
“Tani, shumë të krishterë nuk e dinë kush është Shpirti Shenjt, si është ky Shpirt Shenjt. E shpesh i dëgjon duke thënë: ‘Merrem vesh mirë me Atin e me Birin, sepse i lutem me Atynën Atit, kungohem me Birin, por me Shpirtin Shenjt nuk e di ç’duhet të bëj...’. Më thonë ‘Shpirti Shenjt është pëllumbi, Ai që na jep shtatë dhurata’. Por kështu i varfëri Shpirt i Shenjtë mbetet gjithnjë në fund e nuk gjen vend të mirë në jetën tonë”.
Ndërsa, vijoi Papa Françesku, Shpirti Shenjt është Zot aktiv ndërmjet nesh, Zoti, që na bën të kujtojmë, që na e zgjon kujtesën. Vetë Jezusi ua pati shpjeguar Apostujve, para Rrëshajëve: ‘Shpirti, që Ati do t’ju dërgojë në emrin tim, do t’ju kujtojë gjithçka ju kam thënë’. Përndryshe i krishteri do të shkelte në një tatëpjetë të rrezikshme:
“Një i krishterë pa kujtesë, nuk është i krishterë i vërtetë: është burrë a grua e burgosur nga rrethanat, nga çasti, nuk ka histori Në të vërtetë historinë e ka, por nuk di ta kujtojë. Është pikërisht Shpirti Shenjt ai, që na mëson si ta kujtojmë historinë. Na mëson kujtesën e historisë... Kur, në Letrën drejtuar Hebrenjve, autori thotë: ‘Kujtojini etërit tuaj në fe’, fton për kujtesë: ‘kujtoni ditët e para të fesë suaj, sa guximtarë ishit’, kujtesë. Kujtesë e jetës sonë, e historisë sonë, kujtesë nga çasti, kur patëm hirin të takonim Jezu Krishtin; kujtesë e të gjitha fjalëve, që ka thënë Jezusi”.
Kjo kujtesë, që vjen nga zemra, kjo është hir i Shpirtit Shenjt, përsëriti me forcë Papa Françesku. E të kesh kujtesë, saktësoi, do të thotë edhe të kujtosh vogëlsitë tuaja, që të bëjnë skllav, e njëherësh, edhe hirin e Hyjit, që të shpëton nga këto vogëlsi:
E kur nis e të pushton kotësia e ndokush beson se është paksa Çmim Nobel në Shenjtëri, edhe kujtesa të bën mirë: “ Po... kujtohu ku të mora: në fund të grigjës. Ti ishe i fundmi i grigjës’. Kujtesa është hir i madh, e kur i krishteri nuk ka kujtesë, e rëndë kjo, por e vërtetë, nuk është aspak i krishterë: është idhujtar. Sepse është para një Zoti, që nuk ka udhë, që nuk di të bëjë udhë, ndërsa Zoti ynë bën udhë me ne, bashkohet me ne, ecën me ne e na shëlbon. Bën histori me ne. Kujtoje gjithë këtë, që jeta të bëhet më e frytshme me hirin e kujtesës”.
Papa Françesku e përfundoi homelinë me një ftesë drejtuar të krishterëve, për të mos e harruar udhën e përshkuar, faljen e mëkateve, shpëtimin nga skllavëria, hirin e Zotit.Pas Meshës, Papa Françesku i uroi ditëlindjen imzot Peter Brajan Uells, këshilltar për Çështjet e Përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, duke e falënderuar për shërbimin e tij ndaj Kishës.







All the contents on this site are copyrighted ©.