Më 13 maj Kisha kremton dukjet e Virgjërës Mari në Fatima
Më 13 maj kalendari kishtar kremton dukjet e Virgjërës Mari në Fatima të Portugalisë,
më 1917. Pikërisht si sot, të dielën më 13 maj të vitit 1917, për gjashtë herë
me radhë Zoja e Bekuar iu dukë tre barinjve të vegjël, Lucisë së Jezusit, Françeskut
e Gjaçintos, të cilëve u la një mesazh të rëndësishëm shpirtëror për mbarë njerëzimin.
Ipeshkvi i Leira-s, në letrën baritore në përfundim të pesëqind vjetorit të kësaj
ngjarje, pat pohuar se mesazhi i Fatimës “përmbledh një doktrinë aq të gjerë sa që
mund të pohohet se nuk i shpëton asgjë prej temave themelore të fesë sonë të krishterë...”
E mesazhi që Virgjëra Mari u përcolli barinjve të vegjël e të thjeshtë në Fatima
atë vit të paharrueshëm 1917 mbetet aktual, sepse është mesazhi i paqes e i dashurisë
ungjillore. Pra, është mesazhi i përhershëm, do të thotë mesazhi i Ungjillit. Jezusi,
në fillim të jetës së tij publike, siç lexojmë në Ungjillin e Shën Markut, pati thënë
“Pendohuni e besoni në Ungjill!”. Kjo pra është edhe thirrja që Nëna e Krishtit ua
besoi tre barinjve të vegjël: Luçisë, Françeskut e Gjaçintës, në dukjet e saj në Fatima.
Siç dihet, për herë të parë Zoja e Bekuar Vigjëra Mari u duk më 13 maj 1917. Pastaj
u duk edhe pesë herë të tjera, deri më 13 tetor të këtij viti, vit tragjik gjatë të
cilit Evropa mbytej në gjakun e Luftës I Botërore. Mesazhi i parë i Virgjërës Mari
ishte ftesë për lutje e pendesë, për shpëtimin tokësor e qiellor të bijve të saj. E
nuk duhet të harrojmë se mesazhi që Zoja e Bekuar ua besoi Luçisë, Françeskut e Xhaçintës,
në vijim të atij të Lurdës, ishte një thirrje e fortë për lutje e pendesë; mesazh
vërtetë profetik, duke pasur parasysh shekullin XX, shekull i shkatërrimeve të pashembullta,
të shkaktuara nga luftërat e nga regjimet totalitare si dhe nga persekutimet e panumërta
kundër Kishës.