Rubrika “Te gurra e besimit”: Etja për dashuri (Emisioni IV)
“Etja për dashuri” është argumenti kryesor i emisionit IV të rubrikës “Te gurrat e
besimit”. Përvoja dëshmon se cilësitë personale dhe të mirat materiale nuk mjaftojnë
për ta shuar etjen e shpirtit njerëzor. Siç shkruan Papa Benedikti në Enciklikën Spe
salvi, politika, shkenca, teknika, ekonomia dhe çdo gurrë tjetër materiale, nuk mund
t’ua ngjallë shpresën e madhe, atyre që e kërkojnë. Kjo shpresë nuk mund të jetë tjetër,
veç Zoti. Ja pra, pse një nga pasojat kryesore të harresës së Zotit, është humbja
e plotë e çdo besimi, e çdo shprese, që ndeshet kaq shpesh në shoqërinë tonë, pasuar
nga vetmia, dhuna, pakënaqësia, pasiguria e dëshpërimi. E qartë dhe e fortë është
thirrja, që gurron nga Fjala e Zotit: “Mallkuar qoftë njeriu, që shpreson në njeriun
e mbështetet në të, e zemra e tij largohet prej Zotit. Do të jetë si marena në shkretëtirë,
që nuk pret kurrnjë të mirë” (Jer 17,5-6).
Kriza e shpresës rëndon më
shumë mbi breznitë e reja të cilat, në rrethana shoqëroro-kulturore pa asnjë siguri,
pa vlera e pa pikëmbështetje të forta, duhet të kapërcejnë vështirësi në dukje të
papërballueshme. Mendoj për ju, miqtë e mi të dashur, shkruan Benedikti XVI, duke
iu drejtuar të rinjve, për shumë nga vërsnikët tuaj të plagosur rëndë nga jeta, të
pakënaqur nga shoqëria e familja, të ndrydhur nën barrën e përvojave negative, që
të lëndojnë e kanë pasoja mbi gjithë jetën. Disa, e për fat të keq nuk janë pak, detyrohen
të ecin në rrugë të rrezikshme e të dhunshme, të hyjnë në shtigjet e drogës, të alkoolit
e të formave të tjera, që e dëmtojnë rëndë jetën. E megjithatë, edhe në shpirtin e
atyre, që ndjekin këshillat e ‘mësuesve të këqinj”, nuk shuhet etja për dashuri, që
është lumturia e vërtetë. Po si mund t’ua kumtojmë shpresën këtyre të rinjve? Pyet
Papa, e me të, edhe ne. Duke e ditur mirëfilli se vetëm në Zotin njeriu gjen realizimin
e tij të vërtetë, Papa na kujton se impenjimi i parë për ne të gjithë, është ai i
ungjillëzimit të ri, për t’i ndihmuar breznitë e reja ta rizbulojnë fytyrën e vërtetë
të Zotit, që është dashuri e që ta shuan përgjithnjë çdo etje, në gurrat e besimit.
Në emisionin e ardhshëm do të vihemi në kërkim të kuptimit të fundit, duke u përpjekur
t’i japim përgjigje pyetjes së vështirë: “Ç’kuptim ka jeta e, sidomos, fundi i saj?”.