2013-05-10 16:39:16

Papa Françesku: Kisha të jetë e përvuajtur, e guximshme e gjithnjë në përtëritje, me zemër të hapur


Më 13 maj, mbushen dy muaj që nga zgjedhja e Papës Françesku në fronin e Shën Pjetrit, në krye të Kishës Katolike. Një nga risitë e kësaj papnie janë edhe meshët, që Ati i Shenjtë i kremton çdo ditë në kapelën e Shtëpisë së Shën Martës, ku ka dashur të qëndrojë që në fillim, pa u transferuar akoma në apartamentet papnore të Pallatit Apostolik. Duke marrë shkas nga leximet e ditës, të cilat në këtë periudhë kanë përshkuar jetën e bashkësisë së parë të krishterë në Jeruzalem, Papa Bergolio po pikturon një afresk mbi Kishën, identitetin dhe misionin e saj. Një Kishë e përvuajtur dhe e guximshme, që e dëgjon zërin e Shpirtit Shenjt. Një Kishë, që del nga vetvetja për të shkuar në periferitë e botës. Një Kishë nënë, e jo dado, që ndërton ura e jo mure. Një Kishë me dyer të hapura, që është bashkësi dashurie e jo organizatë jo qeveritare.RealAudioMP3
Në këto dy muaj, Papa Françesku u ka dhënë besimtarëve mjaft për të menduar mbi domethënien e jetës në Kishë, të pjesëmarrjes në të. Me një gjuhë të drejtpërdrejtë e të thjeshtë, por me një mesazh të thellë, Papa i kujton çdo të pagëzuari përgjegjësinë për kumtimin e Ungjillit të Krishtit. Të jesh i krishterë, thotë Ati i Shenjtë, nuk është njësoj si të bësh karrierë në një studio avokatësh. Të jesh i krishterë është dhuratë e Hyjit, që na bën të ecim përpara me forcën e Shpirtit Shenjt e të dëshmojmë Jezu Krishtin. Prandaj, i krishteri nuk ndalet kurrë:
“Kur Kisha humbet guximin, në të hyn atmosfera e vaktësisë. Të vaktit, të krishterët e vakët, pa guxim… Kjo i bën shumë keq Kishës, sepse kështu fillojnë problemet mes nesh; nuk kemi më horizont, nuk kemi guxim, as guximin për t’iu lutur Qiellit e as guximin për ta kumtuar Ungjillin” (Mesha, 3 maj 2013).
Këtë guxim e gjejmë vetëm nëse dimë ta pranojmë Fjalën e Zotit me përvuajtëri, duke ia hapur zemrën Shpirtit Shenjt, pa i kundërshtuar. Vetëm atëherë Kisha bëhet një bashkësi, që jeton me Zotin, pasi mbështetet e rron në dashurinë e Krishtit:
“Ne, gratë e burrat e Kishës, jemi në mesin e një historie të dashurisë: secili prej nesh është një hallkë e këtij zinxhiri dashurie. E nëse nuk e kuptojmë këtë, nuk kuptojmë aspak ç’është Kisha” (Mesha, 3 maj 2013).
Papa i paralajmëron besimtarët për rrezikun që i pret, nëse largohen nga Krishti, nëse tundohen të jetojnë në një Kishë, të përshtatur sipas dëshirave të tyre. Udha e Jezusit, nënvizon Ati i Shenjtë, nuk është ajo e ideologjive dhe e moralizmave, që e fallsifikojnë Ungjillin. “Mondaniteti”, materializmi, është rreziku më i madh për Kishën:
“Kur Kisha bëhet e kësaj bote, kur e ka brenda shpirtin e botës, kur zotëron atë paqe, që nuk është e Zotit… Kisha është e dobët, një Kishë që do të mundet, sepse e paaftë të bartë mbi supe Ungjillin, mesazhin e Kryqit, shkandullin e Kryqit… Nuk mund ta bartë, nëse është e kësaj bote” (Mesha, 30 prill 2013).
Kur Kisha u kushton më tepër vëmendje gjërave materiale, nuk shkon përpara, por mbrapa. Papa argjentinas e fton Kishën Katolike të shqyrtojë hapat e bëra nga Koncili II i Vatikanit deri më sot. Pas 50 vjetësh, pyet Ati i Shenjtë, a kemi bërë gjithçka na tha Shpirti Shenjt në Koncil?
“Jo. E festojmë këtë përvjetor, i bëjmë një monument, por të mos na bezdisë. Nuk duam të ndryshojmë. Edhe më tepër: ka zëra, që duan të kthehen mbrapsht. Kjo quhet kokëfortësi, kjo quhet dëshirë për ta zbutur Shpirtin Shenjt[sipas dëshirës], kjo quhet, të bëhesh i pamend e zemërngathët” (Mesha, 16 prill 2013).
Shpirti Shenjt, vazhdon ironinë Papa Bergolio, na bezdis, sepse na nxit të lëvizim, na bën të ecim, e shtyn Kishën përpara. Sigurisht, vëren Ati i Shenjtë, Kisha ecën gjithnjë ndërmjet Kryqit e Ringjalljes, ndërmjet persekutimit e ngushëllimit të Hyjit, por kjo është udha e kush ecën në të, nuk gabon. Kisha, përsërit disa herë Papa, është histori dashurie, jo organizatë burokratike. Në fund të fundit, Kisha është nënë:
“Në këtë meshë ka shumë nëna. Si do ta ndjenit veten ju, nëse ndokush do t’ju thoshte: ‘Mos jeni organizatore e shtëpisë’? ‘Jo! Unë jam nëna!’ E Kisha është Nënë. Ne jemi në mesin e një historie dashurie, që shkon përpara me forcën e Shpirtit Shenjt e ne, të gjithë bashkë, jemi një familje në Kishën, që është Nëna jonë” (Mesha, 24 prill 2013).







All the contents on this site are copyrighted ©.