2013-05-10 14:33:40

Liturgjia e Fjalës së Zotit e solemniteti të të Ngjiturit të Krishtit në qiell.


Ja përsëri në takimin tonë javor me fjalën e Zotit, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të dielës së solemnitetit të të Ngjiturit të Jezu Krishtit në qiell, festës të Shëlbuemit, siç quhet nga shqiptarët.
Liturgjia e Fjalës së Zotit e festës të të Shëlbuemit, na shkëput nga jeta e përditshme, për të na sjell në kundrimin e misterit të Krishtit të vdekur e të Ngjallur. Ky mister i fesë së krishterë e ka plotësimin e vet në të “Ngjiturit në qiell” ku Jezu Krishti “ngjitet” – shkon duke bekuar dishepujt e duke premtuar dhuratën e Shpirtit Shenjt.
Në këtë “Vit të Fesë” duam t’i bëjmë tonat disa shprehje, që përmban Shkrimi Shenjt e të cilat çdo të diel i shpallim në Rrëfimin e fesë – Besojmen; njëra prej këtyre i përket solemnitetin të kësaj së diele: Krishti, tashmë, “Rri në të djathtën e Atit”. “Me të djathtën e Atit nënkuptojmë lavdinë e nderin e hyjnisë, ku ai që ekzistonte si Bir i Hyjit para të gjithë shekujve si Hyj e i njëgjëjtë me Atin, është lartuar me korp pasi që është mishëruar e korpi i tij është lavdëruar” (Katekizmi i Kishës Katolike, 663).
Të pohosh se Jezusi është ngjitur në qiell do të thotë të thellosh domethënien e ngjalljes: Zoti nuk e ka braktisur të Birin e vet, e ka shkëputur nga vdekja dhe e ka shtie në shenjtëroren e vërtetë, në qiellin e tij. Nga atje Ai ndërmjetëson si avokat i ynë në mënyrë që të mund të ndajmë të njëjtin lavdi (Leximi II). Në të ngjiturit të tij në qiell, Jezu Krishti përuron Mbretërinë e vet e apostujt duhet të jenë dëshmitarë të kësaj ngjarjeje: do t’u predikojnë të gjithë njerëzve kthimin e faljen e mëkateve me forcën e pushtetin që u vjen atyre nga dhurata e Shpirtit Shenjt (Ungjilli).
Solemniteti i të Shëlbuemit apo i të Ngjiturit të Zotit në qiell, është mister i fesë së krishterë që i referohet vokacionit të lartë të njeriut, i lartuar te Zoti nga Krishti, pasi Ai pagoi me Kryq mëkatet e secilit prej nesh. Kuptimi i të Ngjiturit të Krishtit në qiell është i dyfishtë Së pari, duke u lartuar, zbulon pa dyshim hyjninë e tij: kthehet nga erdhi, te Zoti.
Përveç kësaj, Krishti ngjitet në qiell së bashku me humanitetin që ka marrë mbi vete dhe e ka ngjallur së vdekurish: ai humanitet, ajo natyrë njerëzore, është e jona, e shndërruar, e hyjnizuar, e amshuar. Prandaj, të Shëlbuemit zbulon vokacionin e lartë të çdo njeriu, që është i thirrur për jetën e amshuar në Mbretërinë e Zotit, në Mbretërinë e dashurisë, të dritës e të paqes.
Jezusi e realizon misionin e tij duke hyrë në mjerimin e njeriut e duke marrë mbi vete mëkatet e ne të gjithëve: vetëm kështu mund të lartojë njeriun te Zoti. Në mësimin e saj Kisha nënvizon. Ai në fakt erdhi në botë për ta çuar njeriun te Zoti, jo në planin ideal si një filozof apo si një mësues e mjeshtër urtie, por me të vërtetë, si bari që dëshiron t’i çojë delet në vath. Këtë “eksod” drejt atdheut qiellor, Jezusi e ka përjetuar personalisht vetë, por e ka bërë vetëm dhe krejtësisht për ne. Është për ne, që Ai zbriti nga Qielli dhe është për ne që Ai u ngjit, pasi u bë krejtësisht i ngjashëm me njerëzit, i përbuzur deri në vdekjen mbi kryq, e pasi preku humnerën e largimit më të madh nga Zoti.
Në këtë botë askush nuk është pa mëkat, megjithëse nuk është i vetëdijshëm për këtë. Askush nuk mund të shpëtojë e të shëlbohet me forca të veta. Njeriu i dobët e mëkatar mund të shpresojë vetëm në Krishtin.
Zoti në njeriun – njeriu në Zotin: kjo është tashmë një e vërtetë jo teorike, por reale. Prandaj shpresa e krishterë, bazuar mbi Krishtin, nuk është iluzion, por, siç thotë Letra drejtuar hebrenjve, “Atë e kemi shpresë të sigurt dhe të fortë të shpirtit” (Heb 6,19) një spirancë që depërton në Qiell, aty ku Krishti na ka paraprirë.
Të gjithë ne jemi të thirrur ta drejtojmë vështrimin nga Ai, që kur u ngjit në qiell, na shëroi përmes plagëve të veta. Prandaj, jemi të thirrur, të përtërijmë fenë tonë në Jezusin, shpresa e vetme dhe e vërtetë e shpëtimit për të gjithë njerëzit. Duke u ngjitur në Qiell, Ai hapi rrugën drejt atdheut tonë përfundimtar, që është parajsa. Tani, me fuqinë e Shpirtit të Tij, na mbështet në shtegtimin e përditshëm mbi tokë.
Pas Ngjitjes së Krishtit në qiell, dishepujt e parë qëndrojnë të bashkuar në Çenakull përreth Nënës së Jezusit, në pritje të Shpirtit Shenjt. E Kisha përmes Fjalës së Zotit na fton ta kthejmë vështrimin nga Maria: Nëna na çon te Biri, që nuk është më fizikisht mes nesh, por na pret në shtëpinë e Atit.
Jezusi na fton të mos rrimë e të shohim lart, por të qëndrojmë të bashkuar në lutje, për të kërkuar dhuratën e Shpirtit Shenjt. Në fakt, vetëm atij që “rilind nga lart”, pra nga Shpirti i Zotit, i hapet porta e Mbretërisë së Qiellit, dhe e para që “rilindi nga lart” është pikërisht Virgjëra Mari.

Liturgjia e Fjalës së ZotitLeximi i parë Vap 1, 1-11

Ungjilltari Luka na prezanton ngjitjen e Jezusit si fundin e një etape të planit të Hyjit, si shenjë të pranisë së përhershme të Jezusit në mes njerëzve. Me një prani të tillë hapet një kohë e re, ajo e Shpirtit dhe e Kishës misionare. Nga ajo ditë Ungjilli u dorëzua në duart tona.
Lexim prej Veprave të Apostujve
Në librin e parë, o Teofil, fola për gjithçka Jezusi bëri dhe mësoi qysh prej fillimit e deri në ditën kur u ngrit në qiell, pasi që u dha porositë apostujve, të cilët i pati zgjedhur nëpërmjet të Shpirtit Shenjt. Ai, pas mundimit të vet, me shumë prova ua vërtetoi apostujve se ishte i gjallë duke u shfaqur për dyzet ditë para tyre dhe duke u folur për Mbretërinë e Hyjit. Dhe, njëherë, ndërsa po hante bukë bashkë me ta, u urdhëroi të mos e lëshojnë Jerusalemin, por ta presin Premtimin e Atit: “Atë që dëgjuat prej meje: Gjoni ka pagëzuar me ujë, ndërsa ju, pas pak ditësh, do të pagëzoheni me Shpirtin Shenjt.” Tani ata që ndodhën bashkë me të e pyetën: “Zotëri, a thua do ta ripërtërish në këtë kohë mbretërinë e Izraelit?” Ai u përgjigji: “Nuk është puna juaj ta njihni kohën dhe momentin që Ati ia ka përcaktuar pushtetit të vet. Por ju do të merrni fuqinë e Shpirtit Shenjt, i cili do të zbresë në ju dhe ju do të bëheni dëshmitarët e mi në Jerusalem, në mbarë Judenë, në Samari, madje dhe gjer në skajin e botës.” Dhe, kur i tha këto fjalë, ndër sy të tyre, u ngjit në qiell dhe një re menjëherë ua zuri para syve të tyre. Dhe, ndërsa ata me ngulm shikonin sesi ai ngjitej në qiell, ia behën dy njerëz të veshur me petka të bardha, zunë vend para tyre dhe u thanë: “O burra galileas, përse rrini kështu duke shikuar kah qielli? Ky Jezusi, që prej jush u ngjit në qiell, do të kthehet pikërisht kështu, si e patë se shkoi në qiell!”
Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin!
Psalmi 47
Ngjitet Zoti me këngë të hareshme
Duartrokitni, o popuj të gjithë,
brohoritni Hyjit me zë gëzimi!
Sepse Hyji është i tejetlartë, i tmerrshëm,Mbreti i madh mbi tokën mbarë.Ngjitet Hyji me brohori,
Zoti me zë trumbete.
Këndoni Hyjit, këndoni,
këndoni mbretit tonë, këndoni!

Sepse Hyji është mbreti i mbarë tokës:
këndoni këngë me mjeshtëri!
Hyji mbretëron mbi mbarë popujt,Hyji rri mbi fronin e vet të shenjtë.
Leximi dytë Hebr 9, 24-28; 10, 19-23
Ngjitja e Krishtit paraqitet si një akt vërtetë meshtarak: i Kryqëzuari i ringjallur hyn në qiell në sajë të gjakut të Tij. Shenjtërorja e vërtetë është ajo e qiellit, ku Krishti hyn si kryeprifti, i vetmi dhe përfundimtari, duke çuar përpara Hyjit të gjithë besimtarët falë flisë së Tij. Jezusi është kryeprifti i vetëm dhe i amshuar, ndërmjetësues i pajtimit tonë me Hyjin.
Lexim prej Letrës drejtuar Hebrenjve
Krishti nuk hyri në Shenjtëroren e Shenjtëroreve të punuar me dorë, që është vetëm shëmbëllesë e thjeshtë e asaj të vërtetës, por drejt në qiell: që tani të ndërmjetësojë për ne para fytyrës së Hyjit. Jo veç, që shumë herë ta flijojë vetveten sikurse kryeprifti çdo vit hyn në Shenjtëroren e Shenjtëroreve me gjak të huaj; - përndryshe i ishte dashur të pësojë shumë herë qysh prej krijimit të rruzullit. Por tani u dëftua një herë të vetme – në mbarimin e kohës – për ta asgjësuar mëkatin me anën e flijimit të vetvetes. Dhe, sikurse njerëzve u duhet një herë të vdesin – e pastaj vjen gjyqi – kështu edhe Krishti: u flijua vetëm një herë për të shlyer mëkatet e të gjithëve, kurse herën e dytë – jo më në lidhje me mëkate – do t’u duket atyre që e presin për të qenë shëlbuar. Pra, o vëllezër, duke pasur hyrje të lirë në Shenjtëroren e Shenjtëroreve në fuqi të gjakut të Jezusit, nëpër këtë rrugë të re dhe të gjallë që na e hapi Krishti me anë të tisit, që është korpi i tij; dhe duke pasur një Prift të shkëlqyeshëm në krye të Shtëpisë së Hyjit: t’i afrohemi me zemër të çiltër, me fe të plotë, me shpirt të pastruar nga ndërgjegjja e keqe dhe me trup të larë me ujë të pastër. Ta ruajmë të palëkundshme dëshminë e shpresës, sepse Ai që i dha premtimet është besnik.
Fjala e Zotit.Falënderojmë Hyjin.
Aleluja:! Aleluja
Shkoni e bëni nxënës të mi të gjithë popujt, thotë Zoti. Dhe, ja unë jam me ju gjithmonë, deri në të sosur të botës.
Aleluja! Aleluja

Ungjilli Lk 24, 46-53
Jezusi përgatit dishepujt e tij për mision. I Ringjalluri së pari u bën të kuptojnë në dritën e Shkrimeve vdekjen dhe ringjalljen e tij, dhe u dorëzon atyre detyrën për t’u shpallur “të gjithë popujve kthimin dhe faljen e mëkateve”. Apostujt do të jenë dëshmitarët e Tij pasi të kenë marrë Shpirtin Shenjt. E gjithë jeta e tyre do të bëhet tempulli i ri, për të lëvduar Hyjin.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Lukës

Në atë kohë, Jezusi u tha nxënësve të vet: “Kështu është në Shkrim shenjt: ‘Mesisë i duhet të pësojë e të ngjallet së vdekuri të tretën ditë’. Në Emër të tij do të predikohet ndër të gjithë popujt, duke filluar prej Jerusalemit, kthimi dhe falja e mëkateve. Ju jeni dëshmitarët e kësaj gjëje. Dhe, ja unë do ta dërgoj mbi ju Premtimin e Atit tim. Qëndroni, prandaj, në qytet deri që të vesheni me Fuqinë prej së larti.” Atëherë i mori me vete deri në Betani, i çoi duart dhe i bekoi. E, ndërsa po i bekonte, u nda prej tyre dhe u ngjit në qiell. Ata ranë përmbys para tij dhe e adhuruan e me gëzim të madh u kthyen në Jerusalem dhe vazhdimisht ishin në Tempull duke i dhënë lavdi Hyjit.
Fjala e Zotit.Lavdi të qoftë ty, o Krisht!
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të solemnitetit të të Ngjiturit të Krishtit në Qiell, mund të dëgjoni këtu.....RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.