2013-05-10 19:22:09

Kryesia e Ccee në Vatikan. Kardinali Erdë: Papa është pranë të krishterëve të Evropës.


Audienca e parë private tek Papa sot, për Kryesinë e Këshillit të Konferencave Episkopale të Evropës (Ccee), kryesuar nga kardinali Erdë, kryeipeshkëv i Estergom-Budapestit. Liria fetare, ekumenizmi, çështjet etiko-shoqërore, me rëndësi për të krishterët e Evropës dhe të zonave fqinje, në qendër të bisedimeve e të konferencës së shtypit, që pasoi, në selinë e Radios sonë.
“Ishte një takim i mrekullueshëm, gjatë të cilit mundëm t’i përshkruanim Papës të gjitha veprimtaritë e projektet tona. Kështu shprehet kardinali Erdë për audiencën e sotme me Papën:
Mbi të gjitha, nga që patëm përshtypjen se u pritëm me gjithë zemër, domethënë, me interesim të madh, u ndoqëm me vëmendje e u inkurajuam me dashmamirësi. Ishte ngushëllim, përforcim, gëzim i madh për ne”.
Papa u interesua posaçërisht për tematikën ekumenike, ndaj së cilës, saktëson Hirësia e Tij Erdë, u tregua tejet i ndjeshëm. Duhet punuar shumë për afrimin e të gjitha palëve, tha Papa Françesku. Ndërsa kardinali Erdë vëren se…
“Në këndvështrimin jo vetëm straetegjik, ka edhe probleme. Po ky është edhe rast për të parë tek vëllezërit e krishterë të konfesioneve të tjera ndjeshmërinë ndaj disa aspekteve morale”.
Themelore, për ipeshkvijtë evropianë, edhe në bisedën me Papën, tematika fetare, me theksin mbi termat e lirisë e të pajtimit. Do të preket, nënvizon kardinali Erdë, edhe në takimin e Patriarkanës ekumenike të 17 e 18 majit, në Stamboll, për të kujtuar 1700 vjetorin e Ediktit të Milanos si dhe në Asamblenë plenare të Ccee me temë “Zoti e shteti. Evropa ndërmjet laicitetit e laicizmit”, tetorin e ardhshëm, në Bratislavë. Lidhur me këtë, kryetari i Ccee , kardinali Erdë, nënvizoi shqetësimet që dolën nga referati mbi kristianofobinë, realizuar prej Vëzhguesit Evropian për diskriminimin edhe intolerancën fetare. Nuk është fjala për një fenomen të izoluar, pohoi Hirësia e Tij, duke cituar prirjet e rrezikshme ligjore dhe ndërhyrjet e qeverive evropiane mbi këtë temë:
“Për shembull, duan të inserojnë në praktikën e grupeve të ndryshme, rrethprerjen, që donin ta ndalonin disa gjykata në Evropë, ose mishin e ndaluar në disa vende”.
U fol edhe për gjendjen e të krishterëve në Egjipt e në Siri, për afërsinë e Këshillit ndaj tyre. U bë thirrje e fortë edhe për lirimin e Metropolitëve ortodoksë, rrëmbyer në Siri prej ditësh. ‘Provokim’ e quajti kardinali Erdë, të cilit i duhet dhënë përgjigje me shpresë e dialog.
Nuk duhet harruar edhe situata e vështirë e ipeshkvijve në Bosnjë-Hercegovinë, katandisur në pakicë, që kërkojnë mbështetje konkrete nga bashkësia ndërkombëtare. Vijojmë të punojmë me të gjitha forcat për pajtimin e popujve të Evropës brenda shoqërive të tyre, shpjeguan ipeshkvijtë, duke vlerësuar lart mobilizimin e Francës kundër ligjit mbi martesat dhe bijësimin e çifteve gay.







All the contents on this site are copyrighted ©.