2013-05-09 11:45:54

Çelësi i fjalëve të Kishës: Komenti i "Besojmës" së Palit VI, pjesa e fundit


Edhe në emisionin e sotëm, vazhdojmë me komentin, që i bëri Papa Pali VI, “Besojmës” së shqiptuar nga Sheshi i Shën Pjetrit, në përfundim të Vitit të Fesë, shpallur për të kremtuar 1900-vjetorin e martirizimit të shën Pjetrit e të shën Palit. Kujtojmë se një javë pasi e shqiptoi, gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, më 3 korrik 1968, Papa Pali VI shpjegoi ç’donte të thoshte me Besojmën e krishterë. Sot, pjesa kur Ati i Shenjtë pohon se edhe në botën bashkohore mund të jemi të krishterë të vërtetë:
“Të reflektojmë mirë. A është e mundur të arrihet ky synim? A mos jemi në botën e ëndërrave? Si mundet njeriu i thjeshtë i kohës sonë t’ia përshtasë jetën idealit të vërtetë të shenjtërimit, sado që ta modelojë sipas kërkesave të ndershme e të ligjshme të jetës moderne? Për më tepër, sot, kur gjithçka “kundërshtohet”, kur nga tradita nuk duan të marrin as normat për t’i dhënë drejtim brezit të ri, kur transformimi i zakoneve është kaq i shpejtë dhe i dukshëm, kur jeta shoqërore e përthith dhe e mbizotëron personalitetin e individit, kur gjithçka është shekullarizuar dhe përdhosur, kur askush nuk di më cili është rendi i vendosur e që duhet vendosur, kur gjithçka është bërë problem e kur nuk pranohet që ndonjë autoritet i zakonshëm të sugjerojë zgjidhje të arsyeshme, në linjë me përvojën e dëshmuar historike?”
Duket sikur flet për gjendjen e sotme Papa Pali VI, i cili u drejtohej besimtarëve gati 50 vjet më parë. E po për gjendjen e sotme vlen edhe zgjidhja e Atit të Shenjtë:
“Nuk duhet t’i mbyllim sytë para realitetit ideologjik e shoqëror, që na rrethon; madje, do të bënim mirë ta shihnim në fytyrë me qetësi e guxim. Mund të nxirrnim shumë përfundime në favor të parimeve tona rreth humanizmit, që i mungon drita e Zotit. Por tani, duam t’i përgjigjemi pyetjes që shtruam e që do të bënim mirë ta përsërisnim në ndërgjegje; a mundet sot njeriu të jetë vërtet i krishterë? A mundet një i krishterë të jetë shenjt (në kuptimin biblik të fjalës)? A mundet feja jonë të jetë vërtet parim i jetës konkrete e moderne? A mundet akoma një popull, një shoqëri, një bashkësi së paku, të shprehet me forma vërtet të krishtera?
Ja, Bij të dashur, një rast i mirë për ta vënë në veprim fenë tonë. Përgjigjemi po. Asgjë s’duhet të na trembë, asgjë të mos na ndalojë. Është e Shën Terezës kjo fjalë: ‘Nada te espante’. T’ia përsërisim vetes fjalët e Shën Palit drejtuar Romakëve: “Në qoftë se me gojë e dëshmon se Jezusi është Zot dhe në qoftë se në zemrën tënde e beson se Hyji e ka ngjallur prej të vdekurish, do të shëlbohesh” (Rom. 10,9). Kjo është busulla. Në detin e pabesë e të trazuar të botës së tashme, të mbahemi fort pas këtij orientimi suprem: Jezu Krishti. Ai, drita e botës dhe e jetës sonë, menjëherë dikon në zemrat tona dy siguri themelore, atë për Zotin e atë për njeriun; njëra dhe tjetra për t’u ndjekur me përkushtim të plotë dashurie. Nëse është kështu, nuk kemi më frikë nga asgjë: “Kush do të na ndajë prej dashurisë së Krishtit? Vështirësia? Ngushtica? Salvimi? Uria? Zhveshtësia? Rreziku? Shpata? …në të gjitha këto, jemi më tepër se ngadhnjyes, në sajë të Atij, që na ka dashur” (Rom. 8,35-37).
Filloni të shihni si feja mund të ketë ndikim vendimtar e gjallërues në psikologjinë tonë fillimisht, e pastaj, në jetën praktike. Por, shkoi gjatë e po ndalemi këtu, duke besuar se ju dini ta vazhdoni vetë [këtë arsyetim] në ndërgjegjen tuaj. Me Bekimin tonë Apostolik”.
Këtu, të dashur dëgjues, përfundon komenti i Papës Pali VI, i cili duket sikur është shkruar sot, për epokën, në të cilën jetojmë. Le t’i bëjmë atëherë tonat këshillat e Atit të Shenjtë e të dëshmojmë me jetë se jemi të krishterë të vërtetë, duke pasur besim se Zoti na qëndron gjithnjë pranë e na ndihmon në këtë detyrë të vështirë.







All the contents on this site are copyrighted ©.