2013-05-09 10:49:13

Ruso në Oborrin e jo besimtarëve të Bolonjës: diskutimet e kardinalit Pupar dhe të Gjovani Reale.


Takimi i dytë në Bolonjë, në Oborrin e jo besimtarëve, nismë e Këshillit Papnor të Kulturës. Dje pasdite, për herë të parë, besimtarë e jo besimtarë ia kushtuan diskutimet mendimit të një filozofi të veçantë. “Zoti i Rusoit” ishte tema e takimit, që kaloi nën lenten e kardinalit Pol Pupar, kryetar nderi i Këshillit Papnor të Kulturës; të Raimond Trusò, pedagog i Universitetit të Brukselit; të Gjovani Reale-s e të Tulio Gregori-t.

Një falënderim për Zhan-Zhak Rusonë, në fillim të takimit, sepse duke dalë nga thellësitë e tre shekujve, mendimi i tij vijon t’i ftojë njerëzit të dialogojnë mbi shpirtin e ndërgjegjen. Është një nga aspektet e Oborrit të jo besimtarëve që dje, në Bolonjë, analizoi veprën e filozofit, një nga frymëzuesit e revolucionit francez. Ishte dialog me shumë zëra, shprehje e bashkëpunimit ndërmjet Genus Bononiae dhe Këshillit Papnor të Kulturës. E pikërisht kryetari i nderit i këtij Këshilli, kardinali Pol Pupar, i nisi reflektimet:
“Me Zhan-Zhak Rusonë hapet me të vërtetë, edhe për letërsinë moderne, stina e modernitetit dhe e individualizmit, me të gjitha të mirat e të këqijat e veta. Nëse për ne, të krishterët, Hyji ynë është Hyji i Jezu Krishtit, Bir i Hyjit e i së Shenjtnueshmes Mari, për të Hyji është ndjesia e transhendencës në imanencë, mbi të cilën mund të bëhen shumë ura. E provoi edhe Pajtori im i Shenjtë (Shën Pali), dymijë vjet më parë, në Areopagun e Athinës, në një rrethanë të ndryshme, duke folur për Hyjin e panjohur”.
Për kardinalin Pupar, Ruso është njeriu modern në kuptimin e plotë të kësaj fjale; filozofi, që ndikoi mbi Kantin dhe eci në hullinë e Shën Agostinit. Në ‘Rrëfimet” e mendimtarit poliedrik sviceran, ndjehet fort perceptimi i identitetit të veçantë të njeriut:
Një farë shenje afrimi me Gjon Palin II që, shumë herë, e kam dëgjuar të theksojë se çdo njeri është i papërsëritshëm. Kjo është pika e takimit, nga e cila duhet të nisë dialogu. Pastaj ka pika të ndryshme mbi konceptin e njeriut, konceptin e edukatës, të besimit në Zotin”.
Ruso ka shumë më tepër rëndësi, sesa i është dhënë deri më sot: është ai që e ndërpret lojën e absolutizimit të arsyes, të iluminizmit. Kështu mendon historiani i filozofisë, Gjovani Reale, i bindur se ideja e Rusoit mbi Zotin, është nga më të bukurat e kësaj periudhe. Por ky ‘iluminist heretik’, pohon, lidhur me këtë bëri edhe plot gabime, duke mos pranuar shumë ide të zbulesës së krishterë mbi Zotin :
“Më shumë nga të gjitha, më prek pyetja: ‘Cila është gjëja më e bukur, që bëri Zoti?’. ‘Është njeriu!’. E jashtëzakonshme. Grekët, edhe pse tepër të mëdhenj, nuk arritën dot deri këtu. Thoshin: ‘Kozmosi është më i madh se ti’. Ndërsa krishterimi na mëson të kundërtën: e ai është thellësisht dakord me këtë. Cila është gjëja më e bukur, që të bëri Zoti? Është që më bëri kështu, siç jam! E kjo do të thotë të jesh i kënaqur, që je ashtu si je. Është gjëja më e bukur. Është vetë lumturia! Sa mirë do të ishte t’ia bënim të qartë njeriut të sotëm këtë ide: të jesh ashtu si je, do të thotë se ke arritur në këmbën më të lartë të shkallës së jetës. Ti, duke qenë kështu si je, mund të bësh gjithçka, e ta bësh mrekullisht mirë”.








All the contents on this site are copyrighted ©.