Papa në audiencën e përgjithshme: Shpirti Shenjt na mëson se Zoti i do të gjithë si
atë i vërtetë.
Një katekizëm kushtuar Shpirtit Shenjt, për të shpjeguar se Ai na mëson ta duam Zotin
e të afërmin me zemrën e Jezusit. Këtë kujtoi Papa Françesku në audiencën e përgjithshme,
mbajtur sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, në praninë e 100 mijë
vetëve.
Duhet ta dimë se Zoti na do me dashurinë e atit. Mjafton kjo
siguri, për një jetë të plotë të krishterë. Po si mund ta dimë një të vërtetë kaq
të rëndësishme? Duke ia vënë mirë veshin Shpirtit Shenjt! Sepse ëshë vetëm Ai, që
mund të na thotë, pohoi Papa Françesku, se Zoti na do, si të ishim bijtë e tij, se
mund ta duam Zotin, si bij e se, me hirin e tij, mund të jetojmë si bij të Zotit,
si Jezusi: “Çfarë na thotë Shpirti Shenjt? Zoti të do: këtë na thotë! Zoti
të do, të do shumë! Po ne, a e duam me të vërtetë Zotin e të afërmin, si Jezusi? Ta
lëmë Shpirtin Shenjt të na prijë. Ta lëmë t’i flasë zemrave tona e të na thotë: ‘Zoti
është dashuri, Zoti na pret. Na pret gjithnjë. Është Atë, e na do si atë i vërtetë.
Na do me të vërtetë’. Këtë i thotë Shpirti Shenjt zemrës. Ta dëgjojmë Shpirtin Shenjt
e të ecim përpara në udhën e dashurisë, të mëshirës, të faljes”. Trokitja
e stuhishme e njëqind mijë duarve i vulosi fjalët përfundimtare të Papës, i cili e
pati hapur katekizmin duke e përqendruar vëmendjen tek verseti i ‘Besojmës’ që pohon
se “’Shpirti Shenjt është Zot e jep jetë’. Atë jetë, tha Papa Françesku, që njeriu
i të gjitha vendeve dhe i të gjitha kohëve dëshiron të jetë e drejtë, e mirë, larg
kërcënimit të vazhdueshëm të vdekjes: “Njeriu është si shtegtari që,
duke kapërcyer shkretëtirat e jetës, ka etje për ujë të gjallë, ujë dëbore, currilash
të freskëta, që t’ia shuajnë plotësisht etjen për dritë, dashuri, bukuri, paqe. Të
gjithë e kemi këtë dëshirë. E Krishti na e jep këtë ujë të gjallë: Shpirtin Shenjt,
që buron prej Atit e që Jezusi e ndikon në zemrat tona”. Shpirti Shenjt
është elementi jetik për fenë e krishterë, ashtu si uji për organizmin. Dymijë vjet
më parë Samaritanes, dymijë vjet më pas Kishës së Tij, Krishti vijon t’i premtojë
‘ujin e gjallë’ të Shpirtit Shenjt. Premtimi vijon të mbetet i njëjtë, me qëllim që,
përsëriti Papa Françesku, jeta jonë të udhëhiqet nga Zoti, të frymëzohet nga Zoti,
të ushqehet nga Zoti: “Kur themi se i krishteri është njeri shpirtëror,
nënkuptojmë këtë: i krishteri është njeri që mendon e vepron sipas Zotit, sipas Shpirtit
Shenjt. E unë nuk mund të mos bëj pyetjen: po ne, a mendojmë sipas Zotit? A veprojmë
sipas Tij? Apo na prijnë gjëra të tjera, që nuk janë Zoti? Secili nga ne duhet t’i
japë përgjigje kësaj pyetjeje”. Në përfundim të audiencës, përmbledhja
e katekizmit në gjuhët e shtegtarëve të pranishëm, ardhur nga të pesë kontinentet.
Pastaj, takimi i drejtpërdrejt i Papës me njerëzit, shtrëngimi i duarve, rrahja e
zemrave të besimtarëve, pranë e pranë zemrës së Bariut, në një Shesh i cili, gjatë
audiencave, të kujton menjëherë vathën, e Bariun e Mirë, që kthehet me delen e humbur
mbi sup. Delja e humbur është një i sëmurë, të cilit Papa i buzëqeshë; një plak, që
e përqafon; një fëmijë, që e përkëdhel, një i gjymtë, që e bekon. “Vizita tek Varret
e Apostujve, u uroi të gjithëve Papa Françesku, e përforcoftë fenë tuaj në Krishtin,
gjithnjë i gjallë e i pranishëm mes nesh!”.