2013-05-08 15:58:36

Papa Françesku rregulltareve: nuk mund të jetohet me Jezusin, pa e dashur Kishën


Para audiencës së përgjithshme, Papa Françesku priti në Sallën e Palit VI, murgeshat, që marrin pjesë në Asamblenë e Bashkimit Ndërkombëtar të Eproreve të Përgjithshme (Uisg). Takimi i tyre ka në qendër temën “Ushtrimi i autoritetit sipas Ungjillit”. Duke e komentuar, Ati i Shenjtë u propozoi rregulltareve tre mendime të thjeshta, për t’u thelluar më tej.
U kujtoi fillimisht se thirrja për jetën e shuguruar është gjithnjë nismë e Zotit. Krishti thërret e njeriu përgjigjet me jetën e vet. Për pasojë, u tha Papa murgeshave, adhurimi e shërbimi janë dy sjelljet, që duhet të karakterizojnë gjithnjë jetën rregulltare, sepse siç thoshte Shën Pali “nuk jetoj unë, por Krishti jeton në mua”:
“Adhurim e shërbim: dy sjellje, që s’mund të ndahen… Adhurimi i Zotit dhe shërbimi ndaj të tjerëve, pa mbajtur asgjë për vete: kjo është “zhveshja”[nga pasuria] e atyre, që ushtrojnë autoritetin”.
Pastaj, Papa Françesku u ndal në kushtet e jetës së shuguruar, në virtytet e murgeshave. Bindja, si dëgjim i vullnetit të Zotit; varfëria, si kapërcim i çdo egoizmi, sipas logjikës së Ungjillit, që na mëson të kemi besim në Provaninë Hyjnore…
“Varfëri, që mësohet bashkë me të përvuajturit, me të varfërit, me të sëmurët e me të gjithë ata, që banojnë në periferitë ekzistenciale të jetës. Varfëria teorike nuk na duhet. Varfërinë e prekim me dorë, duke prekur trupin e Krishtit të varfër, në të përvuajturit, në të mjerët, në të sëmurët, në të vegjlit”.
Virtyti e kushti i tretë i motrave rregulltare, pastria, e kuptuar si karizëm e çmuar. Pastria është liri, që Zoti ua jep si dhuratë murgeshave e duke iu bindur, ato e kthejnë këtë dhuratë në liri edhe për të tjerët:
“Por, ju lutem, pastri e frytshme, pastri, që lind bij shpirtërorë në Kishë. E shuguruara është nënë e duhet të mbetet nënë e jo lëneshë. …Nuk mund të kuptohet Maria pa amësinë e saj, nuk mund të kuptohet Kisha pa amësinë e saj e ju jeni ikona të Marisë e të Kishës”.
Elementi i dytë, që nënvizoi Papa, duke u folur eproreve të përgjithshme, ishte “shërbimi”. Pushteti i vërtetë, citoi Ati i Shenjtë Benediktin XVI, është shërbimi, që kulmon në dritën e Kryqit. Brenda Kishës, theksoi Papa Françesku, ekzistojnë edhe karrieristë, njerëz që përfitojnë nga Populli i Zotit e nga Kisha për interesat e tyre personale, por këta i bëjnë dëm të madh asaj:
“Të dini ta ushtroni autoritetin, duke shoqëruar, duke kuptuar, duke ndihmuar, duke dashur, duke përqafuar të gjithë, sidomos njerëzit, që ndihen vetëm, jashtë shoqërisë, të shkretë në shpirt… T’ia ngulim sytë Kryqit: aty qëndron çdo lloj autoriteti në Kishë, aty ku Ai, që është Zot, bëhet shërbëtor deri në dhurimin e plotë të vetvetes”.
Së fundi, “eklezialiteti”, apo pjesëmarrja në jetën e Kishës, një nga përmasat bazë të jetës së shuguruar. Rregulltaret, tha Papa, duhet të “ndjejnë” bashkë me Kishën, duke i qëndruar besnike mësimeve të saj, duke vepruar në bashkim me barinjtë e saj e me Pasardhësin e Shën Pjetrit:
“Kumtimi dhe dëshmimi i Ungjillit, për çdo të krishterë, nuk janë kurrë një akt i izoluar. Kjo është e rëndësishme, kumtimi dhe dëshmimi i Ungjillit, për çdo të krishterë, nuk janë kurrë një akt i izoluar apo i ndonjë grupi. Çdo ungjillëzues, siç na kujtonte Papa Pali VI, nuk vepron ‘në sajë të frymëzimit vetjak, por në bashkim me misionin e Kishës e në emër të saj’”.
Këto tri mendime: vendosjen e Krishtit dhe të Ungjillit në qendër të jetës, ushtrimin e autoritetit si shërbim “dashurie” dhe ndjenjën e përkatësisë në Kishë, duke vepruar brenda e me të, qenë reflektimi, që u la Papa murgeshave, para se t’i falenderonte e t’u thoshte se Kishës, pa to, do t’i mungonte amësia, dashuria, ëmbëlsia, intuita e nënës. “Jini plot gëzim – përfundoi Ati i Shenjtë – sepse është bukur të ndjekësh Jezusin, është bukur të bëhesh ikonë e gjallë e Zojës dhe e Kishës Shenjte, Nënë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.