2013-05-08 15:59:11

Marrëveshje ndërmjet SHBA-ve dhe Selisë së Shenjtë për luftën kundër riciklimit të parave


Luftë kundër riciklimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Në Uashington, u nënshkrua dje Memorandumi ndërmjet Autoritetit të Informacionit Financiar të Selisë së Shenjtë dhe të Shtetit të Vatikanit dhe Rrjetit të Luftës kundër Krimeve Financiare në SHBA-të. Me anë të këtij dokumenti, forcohet bashkëpunimi dypalësh në fushën e shkëmbimit të informacionit në këtë sektor. Marrëveshja ka rëndësi të veçantë, pasi organizmi amerikan është i njohur në luftën kundër riciklimit të parave. Drejtori i Autoritetit vatikanas, René Brülhart, nënvizoi se me këtë akt, Selia e Shenjtë tregon qartë se është partner i besueshëm në nivelin ndërkombëtar dhe se e ka marrë shumë seriozisht luftën kundër krimeve financiare.
Kujtojmë se Autoriteti i Informacionit Financiar u themelua në Vatikan në vitin 2010 dhe filloi veprimtarinë në prill të vitit 2011. Aktualisht, po vepron për lidhjen e marrëveshjeve të ngjashme me rreth 20 vende të tjera. Deri tani, këto memorandume janë nënshkruar me organizma të ndryshme të Belgjikës, Spanjës dhe Sllovenisë.








All the contents on this site are copyrighted ©.