2013-05-08 15:59:44

Kolumbi: vritet një meshtar tjetër. Sot, Mesha e dritës.


Një tjetër meshtar i vrarë në Kolumbi. Është fjala për atë José Antonio Bajona Vale, 48 vjeç, prift dioqezan i kryedioqezës së Barrankuilës, therur të hënën e kaluar me 11 goditje thike. Prifti, i shuguruar më 20 dhjetor 1998, famullitar i famullisë së Krishtit Mbret, sipas agjencisë Fides, u gjet i mbytur në gjak në një shteg të humbur, në zonën e fshatit Huan Mina. “Denocojmë këtë krim që, edhe një herë, flet qartë për situatën e vështirë, në të cilën jeton shoqëria jonë, tepër larg frymës së bashkimit e të vëllazërisë. Në vend sundon dhuna e numri i viktimave është alarmues”, pohon për agjencinë Fides, zëdhënësi i kryedioqezës së Barankuilës. E një nga viktimat është edhe don Josè, vdekja e të cilit u prit me dhimbje të thellë nga Kisha e nga bashkësia, ku punoi si shërbëtor i Zotit. Edhe pas kësaj ngjarjeje, që flet vetë për mizorinë e vrasëve, kryedioqeza e Barankuilës vijon impenjimin për paqe e kumton edhe më me forcë se të diel, më 19 maj, do të organizojë Marshimin për jetën, kundër të gjitha formave të dhunës, që kërcënojnë jetën njerëzore.
Mesha e dritës e priftit të therur u kremtua sot, në orën 09.00, pranë katedrales metropolitane të Zojës Mbretëreshë.Kujtojmë se në Kolumbi në vitin 2012 u vra një prift; më 2011, 6 priftërinj e një laik; më 2010, 3 priftërinj e një rregulltar; më 2009, 5 priftërinj e një laik. Në vitin 2013, numri ka arritur tashmë në 4 meshtarë të vrarë.







All the contents on this site are copyrighted ©.