Më 7 maj kalendari kujton shën Flavia Domitilën, martire romake
Më 7 maj kalendari kishtar përkujton Shën Flavia Domitilën, martire romake Në
sa flasim për Shën Flavia Domitilën, kujtojmë se nga fundi i shekullit I pas K. Ungjilli
kishte hyrë tashmë edhe në jetën e aristokracisë romake. Në historinë e Shën Euzebit
të Cezaresë lexojmë: “Në vitin 95 pas K. Flavia Domitila, mbesë e Flavio Klementit,
asokohe konsull i Romës, së bashku me shumë persona të tjerë, qe internuar në ishullin
Ponza, sepse dëshmoi Krishtin”. Më pas qe dënuar me vdekje edhe vetë Flavio, i akuzuar
si ateist, siç quheshin në atë kohë të krishterët, sepse nuk pranonin të adhuronin
zotat e paganizmit romak. Shumë aristokratë të kohës, të krishterë e judenjë, u dënuan
me vdekje ose me sekuestrimin e pasurive. E internuar në Ponza, Flavia pësoi një
martirizim të gjatë. Ky martirizim përshkruhet në shekullin V me nota legjendare në
një shkrinm me titull: “Mundimet” që flet për dy eunukë: Nereun e Akileun, të cilët,
ndërsa Domitila ishte në prag të martesës me Aurelianin, bir i një konsulli, i folën
për Krishtin e për bukurinë e virgjërisë, që do ta bënte vajzën “motër me engjëjt”.
Ajo, e prekur thellë në shpirt, hoqi dorë nga martesa dhe e mbuloi kokën me velin
e bardhë si dëbora të virgjërave të Zotit. Perandori Domician, kushëri i Flavies,
i zemëruar keq nga prishja e fejesës, e internoi vajzën në ishullin, ku përfundonin
aristokratët e krishterë. Atje u flakën edhe Nereu e Akileu, të cilët u shtrënguan
me të gjitha mënyrat ta bindnin Flavien të hiqte dorë nga feja e re. Po ata nuk pranuan
e prandaj u dënuan me prerjen e kokës. Edhe vetë Aureliani vdiq nga rraskapitja gjatë
një mbrëmjeje vallëzimi, organizuar për t’ia ndërruar mendjen së fejuarës. I vëllai,
për t’u hakmarrë, i vuri zjarrin shtëpisë së Domitilës, e cila u dogj brenda, duke
ia kushtuar kështu deri në fund virgjërinë e saj Krishtit. Gjithsesi rikujtojmë se
ky rrëfim është më shumë legjendë sesa histori e vërtetë, ndonëse nuk mungojnë në
të edhe elemente të së vërtetës.