2013-05-07 13:29:23

Gjulio Andreoti dhe Shqipëria


Gjulio Andreoti, burri i madh i shtetit, që u nda nga kjo jetë dje, më 6 maj, u impenjua jashtëzakonisht edhe në favor të Shqipërisë e të shqiptarëve. Pati shkuar në Shqipëri menjëherë pas zbarkimit të shqiptarëve të parë, që pas diktaturës komuniste, erdhën me anijet e dëshpërimit në Itali. Pati bërë “bij në shpirt” tre të rinj shqiptarë, të cilëve u siguroi të ardhmen, e pati marrë pjesë në përurimin e shkollës së murgeshave Benedektineve në Durrës. I butë me refugjatët, për skafistët shqiptarë pati kërkuar të silurohen. Pati ardhur edhe në Radio Vatikan, kur ne, përveç emisionit të përditshëm në shqip, bënim edhe programin në italisht e anglisht “Evropa pa mure”. Kur askush nuk kishte idenë si të ndihmohej Shqipëria e sapodalë nga komunizmi, Andreotti pati propozuar përfshirjen e OSBE-së në projekte, që më vonë u realizuan. U interesua veçanërisht për vuajtjet e persekutimin e qytetarëve, intelektualëve e të Kishës Katolike në Shqipëri. Pati organizuar një takim miqësor në Romë me katër ipeshkvijtë katolikë të saposhuguruar pas komunizmit, të cilëve u siguroi përkrahjen e tij për rimëkëmbjen e Vendit dhe të shoqërisë demokratike shqiptare.







All the contents on this site are copyrighted ©.