2013-05-07 11:02:16

Dom Lukë Matranga në përvjetorin e vdekjes


Duke shfletuar kalendarin historik përkujtojmë përvjetorin e vdekjes së dom Lukë Matrëngës. Pra, si sot, më 6 maj të vitit 1619 u nda nga jeta prifti arbëresh dom Lukë Matrënga (1576-1619) në Horë të Arbëreshëve. Ai është autori më i vjetër arbëresh që njohim deri më sot. Dom Lukë Matrënga (siç e quan edhe atë Justin Rrota në veprën “ Per historìn e Alfabetit Shqyp”, Shkodër 1936 e jo ‘Lekë’ siç shkruhet në shumë libra letërsie) u lind në Horë të Arbëreshëve në Sicili, pasi kreu studimet filozofike e teologjike në kolegjin e Shën Athanasit në Romë, u kthye në Sicilinë e tij të lindjes, ku shërbeu si prift. Në vitin 1592 përktheu nga italishtja dhe botoi në Romë katekizmin e jezuitit atë dr. Ledesma me titull "E mbesueme e kërshterë" ( Doktrina e Krishterë). Kjo vepër me 28 faqe që ka rëndësi shpirtërore e katekistike për historikun e kishës arbëreshe, kjo vepër përfshin një vjershë me tetë vargje që përbën llojin e parë të vargut të shkruar shqip, si dhe vetë katekizmin: një doracak fetar për doktrinën e krishterë në formë pyetje-përgjigje. Kjo vepër është e rëndësishme edhe për dokumentimin e një faze të vjetër të të folmeve të arbëreshëve të Sicilisë; ajo paraqet interes edhe për vjershën e shkurtër botuar në atë vëllim, dokument i parë i botuar i vjershërimit shqip.







All the contents on this site are copyrighted ©.