2013-05-06 14:52:14

Betohen 35 roje të reja zvicerane në Vatikan. Papa: “Feja është thesari më i çmuar, që keni”


Sot pasdite, në Oborrin e Shën Damazit në Vatikan, zhvillohet ceremonia e betimit të 35 rojeve të reja zvicerane, në shërbim të Papës. Është një traditë, që përsëritet çdo 6 maj dhe kujton flijimin e 147 ushtarëve papnorë, rënë gjatë “Plaçkitjes së Romës”, pikërisht si sot, në vitin 1527. Rekrutimi i të rinjve në gjirin e Rojeve Zvicerane është edhe një mënyrë nderimi për këta ushtarë, të cilët dhanë jetën për të mbrojtur Papën Klementi VII nga sulmi i lancikenekëve. Vërtet, ata u përmendën në meshën e sotme, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në orën 7.30 e më pas, me një akt përkujtimor në Sheshin e Protomartirëve Romakë.
Pas mesditës, rojet zvicerane u pritën nga Papa Françesku, i cili i falenderoi me gjithë zemër:
“Çdo ditë mund ta provoj personalisht përkushtimin, profesionalitetin dhe dashurinë, me të cilën kryeni shërbimin tuaj. Falenderoj veçanërisht familjet, që e kanë pranuar me mirëdashje vendimin tuaj për këtë shërbim në Vatikan dhe ju mbështesin me përzemërsi e lutje”.
Për t’i shërbyer Kishës e Papës, vazhdoi Ati i Shenjtë, duhet të kesh besim të fuqishëm në Krishtin:
“Është feja, që ju ka sjellë në Romë. Fe, që e keni marrë në familje, e keni kultivuar në famulli; fe, që tregon lidhjen e katolikëve zviceranë me Kishën… Feja është thesari më i çmuar, që keni”.
Papa Bergolio i ftoi rojet zvicerane ta jetojnë periudhën e shërbimit në Romë me frymën e vëllazërisë së sinqertë, duke e ndihmuar njëri-tjetrin për të përmbushur kërkesat e jetës së krishterë e për të kapërcyer çastet e vështira. Rojet zvicerane, vazhdoi Ati i Shenjtë, e dëshmojnë fenë me buzagaz e mirësi. Sa e rëndësishme është kjo për të gjithë njerëzit, që kalojnë në Vatikan, por edhe për ata, që punojnë e, edhe për mua vetë, theksoi Papa Françesku. Lutuni për njëri-tjetrin, i këshilloi, e zbatojeni në praktikë, duke e ndihmuar njëri-tjetrin, bashkimin me Jezusin, që e merrni përmes Eukaristisë:
“Kur disa prej jush betohen sot të kryejnë me besnikëri shërbimin e tyre në gjirin e Rojeve e të tjerët e përtërijnë këtë betim në zemër, mendoni se edhe shërbimi juaj është dëshmi për Krishtin, i cili ju kërkon të jeni njerëz të vërtetë e të krishterë të vërtetë, protagonistë të jetës suaj… Mos harroni se Zoti ecën me ju: ky është mendim, që i bën mirë shpirtit… Ju uroj nga zemra ta ndjeni gjithnjë gëzimin dhe ngushëllimin, që vjen nga prania e Tij e shndritshme dhe e mëshirshme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.