2013-05-05 09:08:51

Zgjedhjet në Malajzi. Polemikë për përdorimin e termit “Allah” nga të krishterët


Zgjedhjet politike në Malajzi, të cilat u zhvilluan sot, u karakterizuan nga polemika ndërmjet partisë në pushtet “Barisan Nasional” dhe bashkësisë së krishterë. Në parrullat e përdorura për fushatën zgjedhore, kjo parti akuzonte të krishterët se përdorin termin “Allah”, i cili, sipas tyre, u takon vetëm myslimanëve, pavarësisht se do të thotë “Zot” në përgjithësi.
Për vite me radhë, autoritetet malajziane janë përpjekur t’i ndalojnë të krishterët të përdorin termin “Allah”, megjithëse ai është i pranishëm në Biblën e përkthyer në gjuhën malajziane që prej 400 vjetësh, siç tregojnë dokumentet. E, pavarësisht se një vendim gjykate i vitit 2009 u njeh të krishterëve “të drejtën kushtetuese” për ta quajtur Zotin me këtë term, disa grupe islamike vazhdojnë të protestojnë. Natyrisht, meqenëse i duhej vota e myslimanëve, partia politike në pushtet e rihapi çështjen, madje, me mjaft agresivitet. Kryeministri i Malajzisë kërkoi me zjarr ndalimin e përdorimit të termit “Allah” nga të krishterët, gjatë një interviste për televizionin arab Al Jazeera.







All the contents on this site are copyrighted ©.