2013-05-05 09:09:15

Mianmar: nacionalizmi fetar e dora e ushtrisë në dhunën ndërfetare


Një lëvizje e murgjërve birmanë po i fryn zjarrit të tensionit ndërmjet budistëve dhe myslimanëve, në Mianmar. Gjatë muajve të fundit, vendi është kthyer në teatër dhune, e cila ka shkaktuar dhjetra të vdekur e mijëra të shpërngulur, në zona të ndryshme. Ndër protagonistët kryesorë të kësaj vale anti-myslimane, që i fton njerëzit të bojkotojnë dyqanet dhe aktivitetet e ndjekësve të Muhametit, edhe një murg i famshëm, që pavarësisht se e mban veten si “njeri të paqes”, njihet me emrin “Bin Ladeni birman”. Me parrullën “budistë të bashkuar kundër kërcënimit islamik”, murgu përfaqëson një lëvizje në rritje – fushatën “969” – në të cilën tri shifrat janë pasqyrë e virtyteve të Budës, mësimeve të tij dhe bashkësisë së murgjërve. Si pasojë e kësaj fushate, xhiroja e disa dyqaneve myslimane ka rënë edhe me 75%. E nuk vlejnë aspak thirrjet për t’i dhënë fund dhunës nga ana e bashkësisë ndërkombëtare dhe e kryeipeshkvit katolik të Jangonit, imzot Çarls Bo.
Sipas analistëve, fushata i ka rrënjët së pari, në opinionin e përhapur se myslimanët kanë sukses në biznes, në një gjendje të përgjithshme aspak të mirë ekonomike. Së dyti, ajo varet nga ndjenjat nacionaliste të birmanëve, që janë mjaft të fuqishme në gjirin e murgjërve budistë, konsideruar gjithnjë patriotë, në mbrojtje të identitetit kombëtar. Por, sidomos, rrënjët janë në mentalitetin anti-islamik të krijuar gjatë diktaturës së gjeneralit Ne Uin, mbetjet ushtarake të së cilës mendohet se po orkestrojnë dhunën dhe tensionin aktual për të destabilizuar vendin e për të vënë në rrezik reformat politike drejt demokracisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.